Durrës, infermierja denoncon shefin për abuzime
Qefsere Dema ka akuzuar shefin e urgjencës se e ka sharë, ofenduar dhe ka përdorur dhunë ndaj saj
DURRËS- Një infermiere e repartit të Urgjencës në spitalin e Durrësit ka bërë kallëzim penal për shefin e repartit në fjalë. Dy ditë më parë, infermierja Qefsere Dema ka bërë kallëzim në policinë e Durrësit për shefin e Urgjencës Arjan Tivari, i cili sipas saj “e ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht duke e sharë më fjalë të ndyra”. Ngjarja ka ndodhur në urgjencën e spitalit Durrës, ndërkohë që kallëzimi në polici është bërë më pas. Shkak për këtë ngjarje, sipas versionit të infermieres, është bërë një paciente që është paraqitur në urgjencë, e cila ka kërkuar të masë tensionin dhe infermierja e ka dërguar tek mjeku i turnit, i cili ka qenë shefi i urgjencës Arjan Tivari. Në kohën që pacientja ka shkuar për të matur tensionin, mjeku është ndier i fyer, për shkak se pacientja më fjalë bën jetën e një endacakeje. Nga ky veprim ai ka thirrur të nesërmen në zyrën e tij infermieren Qefsere Dema dhe aty, sipas denoncimit të infermieres, e ka sharë, ofenduar dhe e ka shtyrë më forcë duke e përplasur në derë. Për këtë ngjarje është vënë në dijeni drejtori i spitalit, Bashkim Shehu, i cili ka shkuar menjëherë në urgjencë dhe e ka dërguar infermieren në shtëpi për t'u qetësuar. Pas kallëzimit në polici, infermierja ka njoftuar me anë të një SMS- je ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili ka kërkuar që ngjarja të zbardhet menjëherë. Dje paradite, në spitalin e Durrësit kanë mbërritur tre përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Në drejtorinë e spitalit të Durrësit kanë mbërritur me shkrim të dyja versionet e ngjarjes, nga infermierja dhe shefi i urgjencës, ndërkohë që në mbledhjen e mesditës që ka zhvilluar bordi, janë bërë deklarimet e të dy personave në prani të të gjithë anëtarëve të bordit. Pas përfundimit të mbledhjes nuk është marrë asnjë vendim, ndërkohë që është kërkuar që të zhvillohet edhe një mbledhje me stafin e repartit të urgjencës së spitalit. Mark Brunga