Deputetët vizitojnë grevistët e Vlorës
Deputeti i zonës e krerët e PS-së lokale kanë takuar punëtorët që kanë hyrë në grevë pas reformës në Albpetrol
VLORË- Në ditën e dytë të grevës së urisë, grevistët e ndërmarrjes së naftës në Gorisht janë vizituar nga disa përfaqësues së PS-së, mes të cilëve deputeti i zonës, Besnik Dervishi, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika e krerë e PS-së lokale, Eltar Deda e Mëno Besimi. Përfaqësuesit e PS-së kanë biseduar me grevistët pasi i kanë dëgjuar pretendimet e tyre dhe kërkesat të drejtuara qeverisë për reformat që aktualisht janë ndërmarrë në Albpetrol. Sipas punonjësve, kjo reformë është politike dhe absolutisht nuk janë respektuar kriteret e përcaktuara siç janë kualifikimi apo vjetërsia në punë. Deri tani janë 85 punonjës të cilët janë hequr nga puna për shkak të reformës ndërsa drejtues të ndërmarrjes saktësojnë se reforma ka nisur në bazë të pikëve e kritereve të paracaktuara. Si përfaqësues i ndërmarrjes, shefi i personelit, Luan Binaj, tha se nuk janë shkelur kriteret, siç pretendohet, por punonjësit kanë qenë një herë përfitues të asistencës disa vite më parë, kur ata i ka prekur më parë reforma. Përfaqësuesit e PS-së dhe deputeti i zonës kanë njoftuar grevistët se nga ana e Partisë Socialiste do të ndërmerren të gjitha hapat për mbikëqyrjen e kësaj reforme, ndërsa ka nisur puna për ngritjen e një grupi parlamentar, i cili do të analizojë punën e bërë në sektorin e Albpetrol. “Reformat duhen bërë patjetër, tha Dervishi, por ajo që duhet pasur parasysh është respektimi i kritereve dhe ligjit, me qëllim të mos penalizohen ata që nuk e meritojnë, apo të politizohet”. Ai garantoi grevistët se Partia Socialiste do të bëjë të mundur që të rishikohen listat dhe të shqyrtohet gjithçka në bazë të kritereve. Nga ana tjetër, punonjësit e naftës e kanë cilësuar si politike reformën dhe njëkohësisht të padrejtë, pasi po hiqen nga puna persona që kanë mbi 15 vjet në punë, ndërsa po mbahen në punë të ardhur rishtas. Ata kërkojnë të respektohen disa kritere dhe ai që ka ardhur i fundit në punë, të ikë i pari. Grevistët ankohen se kanë punuar tërë jetën në sektorin e naftës dhe dalja e tyre nga puna nëpërmjet kësaj reforme, është e pabazuar dhe e padrejtë. E ndërsa kanë deklaruar se do të vijojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, punonjësit vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në godinën e shërbimit të ndërmarrjes në fshatin Kocul, deri në një afat të papërcaktuar.