Serbia bojkoton konferencën SHBA-Ballkan, shkak Kosova

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman ka thënë se është e gabuar që Beogradi bojkotin konferencën e liderëve politikë dhe afaristëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me partnerët potencialë nga SHBA-të për shkak të pranisë së Kosovës.
“Me këtë bojkot politika ngrihet mbi ekonominë dhe zvogëlon atë që dukej si tentim i sinqertë i Beogradit dhe Ëashingtonit që mes nesh të ndërtohen marrëdhënie më të mira ekonomike”, citon gazeta “Danas” të ketë thënë Countryman.
Sipas tij, bojkoti i konferencës, si dhe kthimi i biznesmenëve serbë nga pjesëmarrja në këtë konferencë, së bashku me qindra biznesmenë dhe investitorë nga SHBA-të dhe Ballkani Perëndimor, dëshpëron, jo vetëm si çështje politike, por edhe si çështje ekonomike në kohën kur SHBA-të, siç ka theksuar zëvendëspresidenti Biden gjatë vizitës në Beograd në vitin 2009, duan të ndërtojnë lidhje ekonomike dhe afariste me Serbinë.
Qeveria federale e shtetit Meriland, në emër të administratës së SHBA-ve do të organizojë me 23 dhe 24 mars në Baltimor një samit të liderëve politik dhe afaristëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me partnerët aktualë dhe partnerët potencialë nga fuqitë udhëheqëse ekonomike në botë - Boing, Lockhead Martin, Cusco, McCormick dhe shumë të tjerë.
Sipas paralajmërimeve të organizatorëve në këtë konferencë, të parë të këtij lloji, do të marrin pjesë të gjithë liderët e ftuar të rajonit si presidenti shqiptar Bamir Topi, kryeministri Boris Pahor nga Sllovenia, presidenti Ivo Josipovic dhe kryeministrja Jadranka Kosor nga Kroacia, Bakir Izetbegovic nga Bosnja e Hercegovina, presidenti Filip Vujanovic nga Mali i Zi, kryeministri Nikola Gruevski nga Maqedonia, ndërsa nga Kosova do të jetë kryeministri Hashim Thaçi.
Në Baltimor nuk do të jenë krerët serbë presidenti Boris Tadic dhe kryeministri Miroslav Cvetkovic, ndërsa nuk është e sigurt nëse do të marrin pjesë edhe biznesmenë nga Serbia.