E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia do të rikthejë ambasadorët në vendet e BE-se

Serbia thotë se ka vendosur t'i rikthejë ambasadorët e vet në vendet e Bashkimit Evropian që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës. 

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha se qeveria e tij vendosi kthimin e ambasadorëve duke gjykuar se ky hap do ta ndihmojë Beogradin në përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin  Evropian.

Data e rikthimit të ambasadorëve nuk është bërë e njohur. Diplomatët serbë u thirrën në muajin shkurt nga 40 ambasada, pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova. 

Rikthimi i diplomatëve, krahas me arrestimin në Beograd të hënën të Radovan Karaxhiç, u vlerësua nga udhëheqësit evropianë. Britania e cilësoi arrestimin si një provë që qeveria e re pro-perëndimore e Beogradit i kushton rëndësi lidhjeve më të ngushta me Perëndimin. 

Ministrat e BE-së, po ashtu e përshëndetën arrestimin e Karaxhiçit, duke thënë se ky veprim mund t'i hapë rrugën anëtarësimit të vendit në BE. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›