“Ligji triumfoi mbi ndikimin dhe presionin politik”

PD përshëndet vendimin e Kolegjit Zgjedhor
Jorida Tabaku: Edi Rama të japë shpjegime pse nuk dëshironte numërimin e votave të qytetarëve
Partia Demokratike përshëndet zbardhjen dhe publikimin e vendimit brenda afatit ligjor nga Kolegji Zgjedhor, dhe për argumentet e arsyetimin ligjor dhe kushtetues që ka parashtruar. Në një prononcim për mediat, këshilltarja e Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, tha se arsyetimi ligjor që Kolegji Zgjedhor ka parashtruar dëshmon qartë se ky vendim është marrë mbi baza ligjore, dhe jo nën ndikimin e presionit politik. Duke falënderuar kryeqytetasit për durimin dhe qetësinë që kanë treguar gjatë gjithë procesit, Tabaku theksoi se “ndërkohë që pala tjetër ka ndërmarre një fushatë presionesh politike në përpjekje për të influencuar Kolegjin Zgjedhor, ne shprehemi të bindur se vendimet duhet të merren bazuar ne ligj, dhe të pandikuara nga presioni politik”.
“Dua të shpreh vlerësimin tonë për zbardhjen dhe publikimin e vendimit brenda afatit ligjor nga Kolegji Zgjedhor, dhe për argumentet e arsyetimin ligjor dhe kushtetues që ka parashtruar, çka dëshmon qartë se ky vendim është marrë mbi baza ligjore, dhe jo nën ndikimin e presionit politik. Ne e dimë se qytetarët presin që procesi zgjedhor në Tiranë të përmbyllet dhe i falënderojmë ata për durimin dhe qetësinë që kanë treguar gjatë gjithë procesit. Ndërkohë që pala tjetër ka ndërmarre një fushatë presionesh politike në përpjekje për të influencuar Kolegjin Zgjedhor, ne shprehemi të bindur se vendimet duhet të merren bazuar ne ligj, dhe të pandikuara nga presioni politik. Megjithatë, është e rëndësishme të ri-sjellim në kujtesë se Edi Rama ende nuk i është përgjigjur pyetjes që shumë qytetarë kanë në mendje: Pse nuk dëshironte Edi Rama që çdo votë të numërohej? Përse nuk dëshironte Edi Rama që zëri i qytetarëve të dëgjohej?”, konkludoi deklaratën e saj për shtyp këshilltarja e Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku.