E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia hap doganat kalojne kamionet e pare te Kosoves

Marrëveshja për njohjen e vulave doganore të Kosovës nga Beogradi nisi të zbatohet, duke funksionalizuar kështu edhe heqjen e masave të reciprocitetit. Doganat e Kosovës njoftuan se kanë kaluar katër kamionët e parë me dokumentacion të Kosovës drejt Serbisë. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavaleci konfirmoi për mediat se katër kamionët e parë kanë kaluar kufirin dhe janë zhdoganuar. Kamionët i përfunduan të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, me dokumente të Kosovës dhe kanë kaluar edhe pikën kufitare në anën e Serbisë.

Që nga 16 shtatori, kur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Kosova hoqi masën e reciprocitetit, në Kosovë kanë hyrë më shumë se 700 kamionë nga Serbia, por asnjë nga Kosova. Kjo bëri që Prishtina të paralajmërojë rikthimin në fuqi të masave shtrënguese, pasi që autoritetet serbe nuk lejuan hyrjen në Serbi të kamionëve me dokumentacione të Republikës së Kosovës.

Kryenegociatorja kosovare, Edita tahiri tha dy ditë më parë se Prishtina do të marrë një vendim të përbashkët me Brukselin dhe Uashingtonin për vazhdimin ose jo të bisedimeve me Beogradin, nëse ky i fundit do të vazhdonte  me moszbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Qeveria e Kosovës më 25 korrik dërgoi njësitë speciale të Policisë së Kosovës për të marrë kontrollin në dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat që një kohë të gjatë ndodheshin jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Aksioni erdhi pas vendimit të Ekzekutivit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Njëherësh, ky ishte edhe aksioni i parë madhor i qeverisë Thaçi për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e shtetit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›