E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia kërkon ndjesë për masakrën e Srebrenicës

Por ligjvënësit e Parlamentit nuk përmendin në tekst fjalën gjenocid”

Parlamenti serb ka kaluar dje një rezolutë të rëndësishme përmes së cilës dënon masakrën e Srebrenicës të vitit 1995 ku humbën jetën mbi 8000 meshkuj nga myslimanët e Bosnjës. Përmes kësaj rezolute u është dhënë fund viteve të gjata të mohimit të këtij akti të pashembullt kriminal, edhe pse në të është shmangur përdorimi i termit gjenocid. “Parlamenti i Serbisë dënon ashpër krimin e kryer ndaj popullsisë myslimane të Bosnjës në korrik të vitit 1995”, thuhet në tekst. Kjo rezolutë është propozuar nga koalicioni qeverisës pro perëndimor i Presidentit të vendit, Boris Tadiç dhe është miratuar me 127 vota nga 173 që janë deputetë, pas një debati që ka zgjatur plot 13 orë. Ligjvënësit kanë shprehur gjithashtu ngushëllimet e tyre dhe u kanë kërkuar falje familjeve të viktimave për shkak se nuk u bë gjithçka që ishte e mundur për të ndaluar një tragjedi të përmasave të tilla. “Ne po ndërmarrim një hap të civilizuar të një përgjegjshmërie politike, bazuar në bindjen tonë politike, në lidhje me krimet që kanë ndodhur në Serbi”, ka deklaruar kreu i Partisë Socialiste, partia e të cilit ka qenë në pushtet në vitet ’90 kur ishte në pushtet edhe Millosheviçi dhe kur ndodhi masakra e Srebrenicës. Në vitin 1995, trupat e serbëve të Bosnjës të drejtuar nga gjenerali Radko Mladiç ekzekutuan 8000 meshkuj serbo-boshnjakë dhe trupat e tyre i vendosën në një varr masiv në rrethinat e Srebrenicës. Gjykata e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi e ka akuzuar Serbinë për mosndalim të masakrës, edhe pse nuk ishte faji i saj për ekzekutimet e bëra. Ndërkohë, deputetët serbë e kanë shmangur termin “gjenocid” në mënyrë që rezoluta të fitonte një mbështetje sa më të gjerë. “Ne donim një rezolutë të ndryshme, por me sa duket kjo nuk ishte e mundur”, ka deklaruar një deputet liberal. Deputetë të tjerë e kanë kritikuar rezolutën për mospërfshirje në të edhe të krimeve të tjera të kryera nga kroatët ndaj serbëve gjatë luftës së Bosnjës. Ndërkaq, kjo rezolutë është mirëpritur nga Bashkimi Europian duke u konsideruar një përpjekje e mirë për njohjen dhe pranimin e të kaluarës së turbullt të shtetit. Presidenti i vendit e quajti këtë rezolutë një shenjë patriotizmi dhe një sinjal i dëshirës së Serbisë për të ngjallur klimën e pajtimit, duke shmangur kritikat se kjo rezolutë është bërë nga presioni ndërkombëtar. Beogradi ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor, por para nisjes së bisedimeve i është vënë detyra e kapjes së Mlladiçit dhe dërgimit të tij në Gjykatën e Hagës në të cilën ndodhet aktualisht, Karaxhiçi.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›