Ahmeti: Përkrah Aleksandërit dhe dëshmorët e UÇK-së
Caktimi i emrit, projekti “Shkupi 2014” dhe situata politike e përgjithshme në vend, kanë qenë temat e takimit që kanë hapur liderët e partive të koalicionit qeveritar, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, dy ditë më parë. Tema më e nxehtë e partnerëve të koalicionit ka qenë projekti “Shkupi 2014”, me ç’rast Ahmeti ka kërkuar që në Sheshin e Shkupit, karshi përmendores së Lekës së Madh(Aleksandërit) dhe të tjerëve, të vendosen edhe përmendoret e dëshmorëve të UçK-së dhe figura të tjera të shquara të historisë shqiptare. Për këtë çështje ka paraqitur një propozim me dhjetë emra të heronjve shqiptarë. Këtë kërkesë të Ahmetit Gruevski nuk e ka komentuar gjatë takimit, vetëm se ka kërkuar kohë që ta shqyrtojë këtë propozim të tij. Njëkohësisht, Gruevski ka informuar Ahmetin për takimin që ka realizuar Kryeministri me homologun e tij grek, Jorgos Papandreu, në Bruksel. Gjithashtu, mësohet se Gruevski është interesuar edhe për qëndrimin BDI-së sa u përket zhvillimeve të fundit rreth kontestit të emrit dhe nismave të paralajmëruara nga e kësaj partie për zgjidhjen e kontestit. Në kuadër të kësaj teme, lideri i BDI-së, Ahmeti, duke shprehur qëndrimin e tij dhe të subjektit politik, mësohet të ketë thënë se BDI është e interesuar që problemi i emrit të zgjidhet sa më shpejt, me qëllim që të hapen proceset eurointegruese. Ahmeti i ka dhënë afat Gruevskit se do të jetë konstruktiv deri në qershor me qëllim që problemi të zgjidhet, pasi qytetarët shqiptarë nuk do të mund të presin më shumë zhbllokimin e integrimit në NATO dhe BE. Burimet thonë se për këtë çështje të dy liderët kanë shprehur qëndrime të njëjta, me disa dallime të vogla. Njëherësh, Ahmeti, ka kërkuar që në rast se ndërtohet Kisha Shën Konstadini dhe Elena të ndërtohet edhe Burmali Xhamia, por siç mësohet, nuk do të ndërtohet as kishë e as xhami.
#