PS pranon gafën, tërhiqet nga padia për vlerësimin e fletëve. Kolegji Zgjedhor do shqyrtojë vetëm vendimin e KQZ-së e cila funksionoi si KZAZ

Në 3 qershor Kolegji Zgjedhor shqyrton rezultatin e KQZ-së
UPDATE- Partia Socialiste u tërhoq nga padia ndaj Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, për pavlefshmëri absolute të vendimit të datës 18 maj për vlerësimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie të cilat u gjenden në kutitë për funksione të tjera.
Tashmë Kolegji do të shqyrtojë padinë për vendimin e datës 23 maj që KQZ mori si KZAZ për Bashkinë e Tiranës. Tërheqja e socialistëve nga padia e parë u bë, pasi në seancën e kësaj të premteje të Kolegjit Zgjedhor, ku do të merrej vendimi, përfaqësuesit juridikë të PS paraqitën që në fillim një kërkese të re.
Ata kërkuan bashkimin e çështjes, duke ankimuar krahas vendimit të datës 18 edhe atë që u votua në tërësi të datës 23, për votat e pavlerësuara e të pa-numëruara. Ky ishte vendimi që u miratua pas numërimit të votave të hedhura aksidentalisht në kutitë të tjera, vendim që u pasua dhe me shpalljen e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, nga ku rezultoi fitues Lulzim Basha me 81 vota plus.
Për demokratët si palë e interesuar nuk ka vend për bashkim, por pasi ata e konsideruan si in-ekzistente çështjen për vendimin e datës 18. Trupi gjykues u tërhoq, për t’u kthyer pas pak minutash në sallë.
Relatorja Sashenka Jonuzi komunikoi refuzimin e kërkesës së socialistëve për bashkimin e dy padive, pasi nuk kishin ndjekur procedurën ligjore. Në këtë moment për të cilin socialistët ishin përgatitur mesa duket, kërkuan tërheqjen nga padia e parë, për të cilën pritej vendimi i kësaj seance.
Përfaqësuesi juridik i selisë rozë Eno Bushi pranoi se padia e parë ishte e paplotësuar, duke lënë të kuptohet druajtjen për rrëzimin e saj.
Tashmë Kolegji Zgjedhor hedh shortin për trupin gjykues që do të marrë në shqyrtim çështjen dhe relatorin përkates, për t’u thirrur më pas seanca e cila do të vendosë mbi padinë e dytë të KQZ-së.
Në 3 qershor Kolegji Zgjedhor shqyrton rezultatin e KQZ-së
Kolegji Zgjedhor vendosi sot që ankimimi i Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshme të rezultatit të KQZ-së, i dalë nga numërimi i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë, të bëhet në datën 3 qershor. Vendimi i Kolegjit u bë publik nga anëtari i trupit gjykues Tom Ndreca. Në mbledhjen e orës 10:00 të Kolegjit Zgjedhor, Partia Socialiste u tërhoq nga një prej ankesave të saj. Avokati i PS-së, Eno Bushi tha për mediat se tërheqja nga padia e bërë në datën 18 maj synonte grupimin e ankesave në një çështje të vetme. Sipas tij, Partia Socialiste kërkon shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit si dhe rezultatin e shpallur nga ky institucion për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë. Partia Socialiste kishte bërë dy padi për zgjedhjet në Tiranë; një në datën 18 maj ku kundërshtonte vendimin e KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit dhe një në datën 23 maj ku e cilëson të paligjshme gjithë procedurën e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit.
...