E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Partitë politike të presin vendimin e Kolegjit, procesi është në rrugë ligjore

27-05-2011 / Gazeta 55

Flet eurodeputeti Paul Rübig: KQZ veproi drejt me numërimin e votave në kutitë e gabuara


Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu u ka kërkuar partive politike të presin me qetësi vendimin e Kolegjit Zgjedhor përpara se të shprehen për rezultatet ndërsa ka shtuar se procesi zgjedhor ka hyrë në rrugën e duhur ligjore. “Presim që procesi i zgjedhjeve të vijojë në rrugën ligjore. SHBA dhe Bashkimi Europian duan që procesi të vijojë sipas ligjeve në fuqi”- është shprehur ambasadori Arvizu në një prononcim për mediat. Deklaratat e tij, Arvizu i bëri gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga instituti arsimor “Ëillson”. Kryediplomati amerikan në Tiranë, vuri në dukje se pjesëtarët e Kolegjit zgjedhor duhet të vendosin duke u bazuar në ligj dhe pa marrë parasysh ndërhyrjet politike ndërsa shtoi se vendimi i Kolegjit duhet të pranohet nga të dyja palët. Ndërkohë dje, ambasadori Arvizu gjatë një vizite në Elbasan ka deklaruar se mbështet deklaratën e zëvendësndihmës sekretari të shtetit Thomas Countryman ndërsa shtoi se kjo deklaratë është e qartë dhe se ajo duhet lexuar e plotë e me kujdes. Sipas Uashingtonit, zgjedhjet e 8 majit ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, ndërsa i apeloi klasës politike të pranojë verdiktin e qytetarëve. 


Flet eurodeputeti Paul Rübig: KQZ veproi drejt me numërimin e votave në kutitë e gabuara


Dje në komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka patur një debat mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri. Dëgjuam nga shumica e eurodeputetëve që çështja e rezultatit duhet të trajtohet nga pushteti gjyqësor, instanca kompetente si Kolegji Zgjedhor dhe të pranohet rezultati. Lidhur me këtë fakt, eurodeputeti Paul Rübig shprehet se zgjedhjet janë ushtrimi më i mirë për të drejtën e qytetarëve në demokraci. Sipas tij, vota është e drejta më e rëndësishme për qytetarët dhe zgjedhjet janë një nga të paktat të drejta, ku vullneti i qytetarëve duhet të pranohet dhe duhet të respektohet plotësisht. Dhe se respekti i votës së qytetarëve dhe shprehja e vullnetit të tyre janë shumë të rëndësishme në cilindo vend. “Mendoj, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin e duhur duke bërë të mundur që edhe ato vota që ishin te kutitë e gabuara, të merren në konsideratë, si vullnet i tyre pasi është një vendim i dhënë nga vetë qytetarët. Nëse politikanëve nuk u pëlqen kjo ose e urrejnë këtë gjë, ata duhet ta pranojnë vullnetin e qytetarëve të tyre të shprehur me votë. Është shumë e rëndësishme në çfarëdolloj demokracie në botë. Një votë në zgjedhje përfaqëson vullnetin e qytetarit dhe kjo duhet të respektohet nga politikanët. Kjo është një e drejtë themelore bazike. Kështu funksionon kudo. Ndonjëherë kjo nuk i pëlqen ndonjë politikani, por duhet treguar zgjuarsi duke pranuar vullnetin e votueseve”- ka qenë deklarata e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›