E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia merr statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian edhe zyrtarisht vendosën që Serbisë t`i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Presidenti i këtij Bashkimi, Herman van Rompi, tha pas vendimit se kjo është një arritje e madhe, ndërsa shfaqi shpresën se Beogradi do të vazhdojë të nxisë fqinjësinë e mirë në Ballkanin perëndimor.

Serbia mori këtë status, pak ditë pas marrëveshjes më Kosovën për përfaqësimin rajonal të Kosovës, e cila tash e tutje në forumet rajonale do të përfaqësohet me emrin e saj por me një shënim të veçantë në të cilin thuhet se “"ky emër nuk paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën pavarësisë së Kosovës”.

Me këtë marrëveshje Serbia mori dritën jeshile për statusin e kandidatit, ndërsa Kosova, zotimin për fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Pak pas vendimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, presidenti i Serbisë Boris Tadic tha se politika e tij “edhe Evropa edhe Kosova, me gjithë sfidat dhe pengesat, ka kaluar sprovën ndërkombëtare”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të Prishtinës zyrtare, por më herët gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha në Bruksel se marrëveshjet për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe për menaxhimin e përbashkët të kufirit me Serbinë janë historike dhe me rëndësi jo vetëm për të dyja vendet por për gjithë Ballkanin perëndimorë. Ai tha se këta hapa “janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por ata janë thelbësorë për të ardhmen e përbashkët evropiane”.

Kryeministri Thaçi, u gjet nën kritika të ashpra të opozitës, e cila vlerëson se marrëveshjet me Serbinë, paraqesin një kompromis që dëmton shtetësinë e Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës thonë se marrëveshjet nuk i sollën ndonjë rezultat Kosovës, por vetëm sa i mundësuan Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat.

Serbia pritej që këtë status ta merrte që në dhjetor të vitit të kaluar, por procesi i bllokua nga Gjermania, e cila reagoi me zemërim për shkak të gjendjes në veriun e Kosovës, ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në përleshje me protestuesit serbë që po mbajnë të bllokuar zonën në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë.

Statusi i kandidatit është hapi i parë drejt anëtarësimit dhe Beogradi duhet të presë të paktën një vit për të filluar bisedimet për anëtarësim të cilat ndërkaq mund të marrin disa vjet me radhë. Por, vendimi mbrëmshëm është një veprim i rëndësishëm politik për presidentin serb Boris Tadic, i cili më 13 mars pritet të shpallë zgjedhjet në Serbi, që pritet të mbahen nga fundi i prillit apo fillimi i muajit maj.

Autoritetet në Serbi thanë se mund të shmangin praktikën e shpalljes së zgjedhjeve në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, duke nxitur reagimin e zemëruar të përfaqësuesve serbë në veri, të cilët mos mbajtjen e zgjedhjeve e shohin si rrezik për shuarjen e institucioneve paralele serbe.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të viti 2008 dhe deri tash është njohur nga 87 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 22 vende të Bashkimit Evropian. Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi, i cili një vit me parë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u përfshi në bisedime me Kosovën për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të ndërsjellë.

Bashkimi Evropian nuk kushtëzoi kandidaturën e Serbisë me njohjen e Kosovës por nguli këmbë që Serbia të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Marrëveshjet e deritashme ndërmjet të dyja palëve nuk kanë shtendosur situatën në veriun e Kosovës që është skena e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë shtendosjen e situatës në zonë dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës së atjeshme.

Prishtina zyrtare ngulë këmbë që gjendja në veri të zgjidhet në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Por, kritikët e marrëveshjeve të deritashme, thonë se një trajtim i posaçëm i veriut të Kosovës mund të jetë kompromisi i radhës për Prishtinën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›