Serbia ndëshkon azilkërkuesit
Autoritetet serbe pritet të ndjekin të gjitha familjet që gjenden në vendet perëndimore dhe i janë nënshtruar strehimit të azilit.
Këto aktivitete vijnë pas paralajmërimit të Komisionit Evropian (KE) për mundësinë e heqjes së liberalizimit dhe kthimit të regjimit të vizave për Serbinë.
Qeveria e Serbisë po shqyrton masa sanksionuese për azilkërkuesit si: ndjekje penale, konfiskim të pasaportave, si dhe dënime me burg për deklarime të rrejshme të atyre që kërkojnë azil jashtë vendit.
Zëvendëskryeministri serb për evro-integrime, Bozhidar Gjelic, propozoi ndryshime të Kodit penal, për të përfshirë masat sanksionuese ndaj azilkërkuesve.
Duke pasur parasysh se azilkërkuesit janë më shumë romë dhe shqiptarë, Gjelic ka thënë se Serbia tek të gjithë ata qytetarë të saj që rrezikojnë liberalizimin e vizave, do të veprojë në të njëjtën mënyrë pa marrë parasysh bazat etnike.
Në vendkalimet kufitare të Serbisë me Hungarinë, policia kufitare serbe po aplikon kontrolle të detajuara për të gjithë qytetarët e saj që udhëtojnë jashtë vendit, për të zmbrapsur keqpërdorimet e liberalizimit të vizave.
Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës kanë akuzuar qeverinë serbe, e cila sipas tyre nuk po rikthen vëmendjen nga rajoni i tyre, i cili është njëri ndër më të prapambeturit në rajonin e Ballkanit.