E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia në BE, Lunacek: në fillim dialog me Kosovën

BRUKSEL- Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek edhe pse pranon se Serbia ka bërë shumë progres për marrjen e statusit të kandidatit, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit me Tribunalin për krime të luftës në Hagë, reformimin e gjyqësorit dhe ekonomisë, vlerëson se rifillimi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës solli 'rezultate zhgënjyese', raporton Dojce Welle.

"Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet e BE-së. Unë i bëj thirrje Këshillit të BE-së dhe krerëve të shteteve dhe qeverive, të cilët më 9 dhjetor do të vendosin për statusin e kandidatit (për Serbinë), të shohin nëse janë zbatuar marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut. Disa prej tyre mund të zbatohen ende deri në atë datë. Tani çdo gjë është në duart e Serbisë, autoriteteve serbe dhe të zotit Tadiq",- thekson Lunacek.

Gjatë një konference për mediat të mbajtur sot në Bruksel, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se Gjermania është gjithnjë e më e izoluar në qëndrimin e saj se eliminimi i strukturave paralele në veri të Kosovës duhet të jetë një kusht për përparimin e mëtejshëm të Serbisë drejt BE-së, Lunacek, tha se sipas mendimit të saj, strukturat paralele "e dëmtojnë jetën e qytetarëve në veri të Kosovës" dhe se plani i Ahtisaarit është "rruga për stabilitetin dhe përparimin në Veri".
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›