E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia nuk do të pranojë marrëveshje me BE-në dhe SHBA-në

Beograd, 12 gusht – Qeveria e Serbisë nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje me BE-në dhe SHBA-në lidhur me rezolutën me rastin e vendimit të GJND-së, shkruajnë sot mediet serbe.

Sipas agjencisë serbe FoNet, vlerësimi i pushtetit serb është që humbja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të ishte më pak e dëmshme në luftën diplomatike për ruajten e Kosovës, sesa marrëveshja me anëtarët më me ndikim të BE-së dhe SHBA-në rreth rezolutës së re. Sipas këtij vlerësimi, autoritetet serbe janë të bindura se vendet perëndimore, të cilat përkrahin pavarësinë e Kosovës do të bëjnë përpjekje që me presion politike dhe ekonomike ta detyrojnë Serbinë që të heq dorë nga propozimi i vet në KB. Sipas një bashkëbiseduesi nga kreu shtetëror serb të Pressit, Serbia do të ballafaqohet me tri zgjidhje para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila do të mbahet në gjysmën e shtatorit. Një mundësi është që Serbia të sigurojë një shumicën për rezolutën e vet, që është, siç ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, mision i pamundur.

Opsioni i dytë është që në marrëveshje me Britaninë e Madhe, SHBA-në e Francën, të ndryshojë teksti i rezolutës dhe të hiqen “pjesët kontestuese” të rezolutës: se secesioni është i papranueshëm dhe se kërkon vazhdimin e bisedimeve për statusin e Kosovës.

Opsioni i tretë është që Serbia të mos marrë përkrahje të mjaftueshme të anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Nëse humbim vlerësojmë se kjo do të jetë ‘për pak’”, ka vlerësuar burimi i njëjtë, duke shtuar se në këtë rast do të krijohet situata, në të cilën, “Serbia ka humbur nga vendet më të fuqishme të botës, të cilat janë detyruar të shfrytëzojnë gjithë fuqinë që të pengojnë bisedimet për statusin e Kosovës”.

Burimi i Press beson se shfrytëzimi i një force të këtillë kundër Serbisë do të provokojë animozitet te vendet, të cilat mendojnë ta njohin Kosovën dhe pas kësaj nuk do ta bëjnë këtë.

Sipas këtij burimi, siç raportojnë mediet serbe, një sjellje e këtillë e Perëndimit vetëm sa do të forcojë qëndrimin e Rusisë, Kinës, Indisë, Brazilit dhe të tjerëve që të mos pranojnë Kosovën. Për këtë, ndoshta është më mirë për Serbinë të humb në KB, sesa të merret vesh me BE-në e SHBA-në. Vetëm nëse Serbia mbetet e fortë, vendet që përkrahin Kosovës, për herë të parë do të detyrohen që me te të bisedojnë seriozisht, ka shtuar bashkëbiseduesi i Press.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›