E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima e parë e dhunës serbe

Vdes nga plagët polici ukrainas i plagosur gjatë përleshjeve me terroristët serbë në Mitrovicë

Trupat franceze të NATO-s qëlluan dje në ajër në shenjë paralajmërimi, vetëm disa orë pasi një polic ukrainas vdiq pas plagëve të marra nga përleshjet e së hënës me serbët në Mitrovicë. Ai ishte i 7-ti oficer që vritet duke shërbyer nën misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, qëkur UNMIK-u mori detyrën në vitin 1999, dhe i pari që humb jetën si pasojë e dhunës së serbëve që pas pavarësisë së Kosovës. Më shumë se 130 vetë u plagosën gjatë trazirave të së hënës në Mitrovicë, kur policia e UNMIK-ut mori kontrollin e një gjykate të sulmuar nga serbët. Polici ukrainas i cili humbi jetën, ishte pjesë e një njësie speciale, e cila u urdhëruar të hynte në gjykatë dhe të arrestonte protestuesit serbë. Ai u plagos rëndë nga një granatë dore e hedhur nga serbët që sulmuan trupat e UNMIK-ut. Qeveria e Kosovës shprehu keqardhje për vdekjen e policit ukrainas. “Jemi vërtet të hidhëruar. Institucionet e Kosovës dhe qeveria i dërgon ngushëllimet familjes dhe vendit të tij”, - tha dje kryeministri kosovar, Hashim Thaçi. UNMIK-u njoftoi dje se 41 policë të tjerë janë ende duke u trajtuar për plagët e marra gjatë sulmit të serbëve. Ndërsa 11 oficerë francezë u dërguan në shtëpi për t’u trajtuar. KFOR-i pranoi se trupat e vetëpërdorën armë zjarri, por vetëm duke qëlluar në ajër për të trembur protestuesit e dhunshëm, të cilët sulmuan forcat ndërkombëtare. Por zyrtarët në Beograd kanë akuzuar Kombet e Bashkuara dhe NATO-n për përdorim të tepruar të forcës kundër protestuesve. Duke folur në Moskë, sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais, u bëri thirrje të gjitha palëve të frenohen nga dhuna dhe të evitojnë provokimet. Ndërkohë, trupat franceze dhe ato spanjolle të KFOR-it ndodhen që nga dita e djeshme të stacionuara në pikat më të nxehta të qytetit verior, në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e dhunës së 17 marsit. Urat mbi lumin Ibër që ndajnë serbët në veri nga shqiptarët në jug, u mbyllën gjithashtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›