E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia, operacion kërkimi për gjetjen e Mlladiçit



Forcat speciale serbe kanë zhvilluar dje një operacion kërkimi ndaj të dyshuarit për krime lufte Ratko Mlladiç. Si pasojë e këtij operacioni është bastisur një fabrikë në perëndim të vendit. Operacioni i kërkimit u zhvillua nga forcat speciale serbe në Valjevo me urdhër të prokurorëve serbë për krime lufte. Forcat e sigurisë bastisën në orët e para të mëngjesit të djeshëm një fabrikë të prodhimeve plastike në perëndim të Serbisë, rreth 100 kilometra nga Beogradi. Sipas zyrtarëve, ata po kërkonin Ratko Mlladiçin dhe njerëzit e tij që e kanë ndihmuar t’i shpëtojë drejtësisë për më shumë se një dekadë. Gjenerali Mlladiç, shefi i ushtrisë serbo-boshnjake në fillim të viteve ‘90, kërkohet nga Gjykata e Hagës që e padit për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Zhvillimi ndodhi vetëm një javë përpara se personi i ngarkuar me tribunalin për Krime Lufte të vizitojë Beogradin. Ai do të vlerësojë nivelin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Gjykatës së Hagës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë sot raportin tremujor të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për gjendjen në Kosovë, përfshirë dhe procesin e rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, si dhe vendosjen e misionit të Bashkimit Europian, EULEX, në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Jashme të Kosovës udhëtoi drejt Nju Jorkut për të qenë i pranishëm në mbledhjen e sotme. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit është mbledhje periodike, në të cilën raportohet edhe për Kosovën. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës bën të ditur se formati i mbledhjes së 11 nëntorit ende nuk është bërë publik, ashtu sikurse nuk dihet ende nëse përpos raportit të UNMIK-ut për Kosovën do të ketë apo jo fjalë të tjera. Nëse formati zyrtar i mbledhjes e lejon këtë, sipas MPJ-së, ministri Hyseni është i gatshëm të marrë fjalën në këtë mbledhje. Fjala e tij do të përqendrohet kryesisht në zhvillimet dhe progresin e Kosovës në të gjitha fushat, në periudhën mes dy mbledhjeve të fundit të Këshillit të Sigurimit.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›