E Diel, 1 Nëntor 2026

OBAMA, REALITETI TEJ ËNDRRËS



Nga Artan Mullaj

Për herë të parë në historinë e Amerikës një senator me ngjyrë u zgjodh president i saj. Ky moment përbën një ngjarje të rrallë edhe në skenarët e filmave të ashpër hollivudjanë. (Aktorët me ngjyrë janë në role presidentësh vetëm në situata ekstreme, kur troket fundi i botës apo kur tokën e pushtojnë UFO-t ose marsianët.)
Megjithatë, në këtë vjeshtë, realiteti shkoi tej fantazisë: Shtëpia e Bardhë ka hapur dyert për Barak Obamën. Në vazhdim të sfidës dhe ëndrrës amerikane, fakti që perandori i planetit tani e tutje do të jetë një burrë i ngjyrshëm afro-amerikan me fytyrë fëminore, ka mbaruar së qeni surprizë në datën 5 nëntor, sepse ky president i ri tashmë është një realitet për të gjithë...
Dihet që mediat botërore e shoqëruan me një interes të pazakontë këtë dinamikë ndryshimi të madh. Njëherazi, fitorja e Obamës rezultoi një realitet i mirë për opinionin mbarëbotëror. Jehona e zgjedhjes së tij vërtetoi faktin se më shumë se kapërcimi i një tabuje racore, mënyra se si këto votime sollën Obamën në fronin e planetarit përbën pikërisht një etalon ndërkombëtar të demokracisë për të gjithë. Në këtë linjë mund të supozohet se kjo ngjarje ishte një mesazh kuptimplotë për politikanët anembanë botës: politika e mirë zë fill te respektimi i votuesit të thjeshtë, duke e afruar këtë jo me fjalë e thjesht buzëqeshje nëpër ekrane apo fjalime, por me përpjekje të sinqerta për t’u dhënë konkretisht atyre mundësitë edhe shanset.
Obama vjen në kolltukun e perandorit në një situatë mjaft të vështirë. Në rastin më të mirë kjo situatë zbulon në dritën e diellit defektet e sistemit shoqëror, që nuk mund të anashkalohen. (Dihet që ndërsa nuk është perfekti, edhe pse mbështetur mbi kapitalin, edhe pse i trazuar nga krizat, edhe pse i dërmuar nga rreziqet në rritje, ngaqë në botë nuk ka një tjetër sistem konkurrues, ky sistem është aktualisht më i miri.)
Ngjarjet e fundit, provokuar nga kriza ekonomike, kanë treguar se sjellja e planetit nëpër ciklimet vicioze të kapitalit ka prishur ekuilibrat dhe e ka shtyrë ekonominë botërore në pasiguri dhe nëpër kriza të thella e të përsëritura. Prishja e balancave ka ndodhur edhe më parë, por asnjëherë amplitudat kanë qenë kaq të mëdha dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ekonomitë janë sa në një zhvillim marramendës, aq edhe në ngërçe e dilema, çka do të thotë se pas çdo lulëzimi, sa më të dukshme të jenë ato, aq më dërmuese do të jenë krizat pas tyre.
Kështu që, në mënyrë urgjente, brenda kontureve të kapitalizmit, brenda vlerave dhe kulteve të krijuara deri tani dhe pa prekur filozofinë e sistemit, është e qartë domosdoshmëria e krijimit të hapësirave të reja në shërbim të një filozofie që do të afronte zgjidhje të qëndrueshme për ekonomitë e rrezikuara të popujve.
Mbështetja planetare ndaj Obamës pikë së pari ka të bëjë me këtë. Në skenën botërore të ngjarjeve, ardhja e Obamës, e sidomos frymëzimi njerëzor që ai diti të ndezë anembanë globit, duket se erdhën në kohën e duhur. Kjo ndezje mes dëshpërimit të botës tashmë është kthyer në një pasion njerëzor drejt ekuilibrave të rinj, duke zgjedhur liderë të rinj, të cilëve me një mbështetje masive u kërkohet të instalojnë kultin e rolit të udhëheqësve për zgjidhjen e krizave të mëdha.
Është e qartë se ngjarja e rrallë e zgjedhjes dhe e mbështetjes së fortë, përmes një leksioni demokracie, e ka shndërruar njëherazi Obamën në një fenomen, brenda dhe jashtë kufijve të Amerikës. Ky përmasim është dëshmi e një përkrahje dhe vullneti mbarëbotëror për ndryshimin e premtuar, bazuar gjithherë në vlerat e demokracisë dhe barazisë. Nuk është pra e rastit përkrahja mbarëbotërore për perandorin me ngjyrë; por jo vetëm kaq; shpresa e rrezatuar prej tij ka sjellë në të njëjtën kohë një mrekulli kaq të brishtë, sa është zbutja e racizmit në planet.
Përmbledhtazi, për të gjithë është e qartë se ringritja e Amerikës përbën një balancim zhvillimi për të gjithë, edhe për kombet e mëdha, edhe për popujt e vegjël. Të gjithë i kanë drejtuar sytë drejt lëvizjes së madhe. Shqipëria jonë ka vendin e vet, ndonëse modest, në paradën përshëndetëse të fitores së Obamës dhe veç kësaj, shoqëria jonë e ka fituar të drejtën për të shpresuar në mbështetjen e shtetit më të fuqishëm të botës. Por, si një vend me demokraci të vështirë e probleme të mëdha në tranzicionin e gjatë, me një klasë politike të pamëshirshme gjithë këto vite, në këtë shpresim, zhvillimi ynë kushtëzohet nga provat e mëdha dhe testimet e demokracisë përpara. Aq më tepër që shqiptarët kanë sfidën sublime të zgjedhjeve të qershorit në pranverë.
Me gjithë mësimin amerikan, a mund të shpresohet për një emancipim të ri në botën shqiptare? Kush mund ta thotë.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›