E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia, pro anëtarësimit të Kosovës në OSBE!

BEOGRAD- “Serbia beson që është mirë nëse Kosova do të anëtarësohej në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”. Kjo ka qënë deklarata që ka bërë përfaqësuesja e përhershme e Serbisë në OSBE, Miroslava Beham.Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve Koha ditore, e cila citon të përditshmen serbe Pravda, e cila ka publikuar deklaratën e ministres serbe në OSBE.

Beham ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare do të mund të kontribuonte në dialogun që po zhvillohet në mes të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Fjalimi i saj i parapriu fjalimit të përfaqësuesit të SHBA-ve në OSBE, i cili insistoi që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.

Ndërkohë që analistët politik vendas kanë bërë me dije se qëndrimi i ministres për Kosovën, nuk përkon me atë të qeverisë së vendit.“Deklarata e saj është në kundërshtim me politikën zyrtare karshi krahinës jugore të vetëshpallur të pavarur. Megjithatë, nuk do duhet të harrohej oferta e zyrtarit të BE-së se Serbia nuk duhet ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës, mirëpo duhet të ndalojë së bllokuari anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”,- raporton e përditshmja serbe “Pravda”.

Ish-ambasadori serb në Paris, Predrag Simic, ka thënë se nëse kjo deklaratë është interpretuar saktë, atëherë kjo nënkupton një moment të ri të Beogradit në arenën ndërkombëtare.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›