E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj “tradhton” Vllazninë

 

ADMIR URUÇI

Vllaznia del bllof me Xhevahir Sukajn, i cili nga dje mund të quhet si lojtari i ri i klubit turk, Orduspor, që militon në Kategorinë e Dytë. Nga ana tjetër, klubi shkodran, pas dështimit të këtij kalimi, mbyll marrëveshjen me sulmuesin Erion Rizvanolli, i cili po dje firmosi për një vit te Vllaznia. Të gjitha këto zhvillime të papritura në merkato, kanë ndodhur në një kohë rekord, teksa drejtuesit e klubit kuqeblu ishin të sigurt për Sukajn. Mësohet se klubi turk, Gençerbirligi, që ka në pronësi kartonin e sulmuesit shkodran, është bërë pengesë për zyrtarizimin e tij te Vllaznia, në një kohë që presidenti Valter Fushaj, kishte mbyllur gjithçka në parim. Kështu, pas shumë tentativash, fillimisht te Hansa e Rostokut, e më pas me Bolusporin, për të ardhmen e 22-vjeçarit vendos klubit i Gençerbirligit. Sipas burimeve të sigurta pranë lojtarit, ky i fundit sot do të prezantohet te ekipi i kategorisë së dytë, Orduspor. Sukaj bëhet shkodrani i dytë që do të luajë në këtë ligë, pas mesfushorit Gilman Lika, i cili është pjesë e Bolusporit.
Sukaj pati deklaruar se kishte blerë për 58 mijë euro kartonin e tij nga Gençerbiligi dhe ishte një futbollist i lirë. Mbi këtë ide ai mund të testohej edhe te Hansa e Rostokut në Gjermani si dhe filloi bisedimet me presidentin e Tiranës, Refik Halili. Por si duket një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë ndaj në fund si gjermanët e Hansas dhe Tirana përkundrejt pagesës së kartonit të futbollistit kanë preferuar të mos i ofrojnë një kontratë. Sulmuesi në fund ka pranuar një ofertë të bërë më parë nga klubi i Gençerbiligisë për ta çuar në formë huazimi tek Orduspori. Shkodrani do të luajë vetëm këtë sezon tek kjo skuadër dhe vitin tjetër do të shikojë mundësinë e rikthimit sërish në Kategorinë e Parë turke. Ekziston mundësia që një gjë të tillë Sukaj ta bëjë që në merkaton dimërore nëse do të ketë oferta konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›