E Diel, 1 Nëntor 2026

Sergei Lavrov ne Siri pas mbeshtetjes ne OKB

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ndodhet në Siri për bisedime me presidentin Bashar al-Assad. Vizita e tij ndodh pasi Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të mbështetur nga Lidhja Arabe dhe Perëndimi që kërkon largimin e presidentit Bashar al Assad. Zëdhënësi i tij bëri të ditur se vizita e tij në Damask bëhet pasi Moska kërkon një stabilizm të situatës në Siri. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit Viktoria Nuland i kërkoi zotit Lavrov të shfrytëzojë këtë mundësi për t’i bërë të qartë regjimit të Assad sa i izolur është ai dhe populli i tij dhe të pranojë planin e paqes së Lidhjes Arabe.
Ndërkaq raportohet se kanë rinisur bombardimet në qytetin Homs. BBC thotë se të paktën 95 persona humbën jetën nga sulmet vetëm të hënën. Aktivisti Mohammed al-Hassan thotë se bombardimet e së martës janë përqëndruar më së shumti në zonën Baba Amr. “Nuk ka energji elektrike dhe komunikimet me qytetet fqinje janë prerë”, tha ai.
Rusia është furnizuesja kryesore e armëve në Damask. Qeveria siriane, e cila po lufton kundër protestave që kanë nsiur që në mars, tha se shtypja bëhet edhe ndaj grupeve të armatosuar të mbështetura nga jashtë.
Ministria e Brendshme siriane ka thënë se operacionet kundër grupeve terroriste do të vazhdojnë derisa sigurisa dhe rregulli të vendosen në Homs.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›