E Diel, 1 Nëntor 2026

Seria A, fitojnë tre skuadrat kryesuese

ROME- Interi ka treguar forcën e tij në Serinë A, duke triumfuar 3-0 ndaj Bolonjës edhe pse pa 4 titullarë në skuadër. Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo ka patur përballë një kundërshtar aspak të lehtë dhe që nuk ka qëndruar pasiv në fushë, megjithatë ia ka dalë mbanë të marrë 3 pikë. Për Interin është rikthyer në fushë edhe Mario Baloteli, i cili ka realizuar golin e dytë dhe ka treguar një nivel të lartë përgjatë 90 minutave. Gjithsesi, heroi zikaltër ishte Tiago Mota me dy golat e tij. Braziliani shënoi në minutën e 29-të me një goditje të bukur nga jashtë zone. Ndërkohë, 7 minuta nga nisja e pjesës së dytë Mario Baloteli dyfishon shifrat me një prekje të lehtë në zonë. 5 minuta para përfundimit, Tiago Mota realizoi edhe golin e tretë, duke e kthyer në triumf ndeshjen e Interit.
Ndërsa Interi fitonte në “San Siro”, të njëjtën gjë kanë bërë edhe Roma e Milan në transfertë. Verdhekuqtë kanë mundur 1-0 Bajernin në “San Nicola”, falë një goli të shënuar në pjesën e parë nga Mirko Vuçiniç. Vendasit e Venturës krijuan një volum të madh loje dhe patën shanse për të barazuar, megjithatë kanë qenë shumë të pasaktë përpara portës. Roma ndërkohë u mbrojt mirë përgjatë 90 minutave, duke marrë një fitore që e lejon të qëndrojë 1 pikë larg Interit kryesues. Ndërkohë, Milani ka ruajtur hapin e dy kryesuesve, duke fituar 3-2 në fushën e vështirë të Kaljarit. Takimi i luajtur në Sardenjë ka qenë një spektakël më vete, sidomos në pjesën e parë kur u shënuan të pestë golat. Borrielo kaloi i pari në avantazh Milanin në minutën e 7-të, por pas 10 minutash Ragatzu barazoi shifrat. Më pas ishte Huntelar që goditi bukur nga larg, duke shënuar golin e dytë, por sërish Kaljari, këtë herë me Matrin, barazoi. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Milanit, falë autogolit të Astorit. Në pjesën e dytë, Kaljari nuk barazoi dot, megjithë përpjekjet e shumta.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›