E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man City mban Tevezin

Manchester City do ta detyrojë Carlos Tevezin të mbetet në klub, përkundër dëshirës së tij për t’u larguar nga Eastlands. Reprezentuesi argjentinas ka thënë se marrëdhëniet e tij me disa prej drejtuesve të klubit janë shkatërruar dhe nuk mund të përmirësohen. Mirëpo, City refuzon mundësinë e shitjes së tij deri në verë. Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 10:11

Manchester City nuk do ta shesë sulmuesin Carlos Tevez në janar, ka njoftuar BBC Sport të hënën. Mirëpo, 26 vjeçari ka thënë se dëshiron të largohet nga klubi, pasi marrëdhëniet e tij me disa “drejtues të caktuar” të klubit nga Eastlands janë “shkatërruar dhe nuk mund të përmirësohen”.

Por, një zyrtar i lartë i klubit e përshkroi këtë si “absurde dhe të pakuptimtë”. Nëse Tevez refuzon të luajë ose pensionohet nga futbolli, klubi do të kërkojë kompensim për shkelje të kontratës nga menaxheri dhe ish ‘pronari’ i tij, Kia Joorabchian.

Marrëveshja, e cila ka edhe tri vjet e gjysmë para skadimit, vlerësohet në dhjetëra milionë funta. City ka marrë vendim për refuzimin e shitjes së Tevezit pas bisedimeve me pronarin e klubit, Sheikh Mansour. Klubi po ashtu ka refuzuar një kërkesë të shkruar për largim nga Tevez, i cili thuhet se ka cituar arsyet familjare si motiv për vendimin e tij për largim.

“Është diçka që ndiej për një kohë të gjatë dhe kam kaluar shumë orë duke menduar rreth kësaj”, theksoi Tevez. Në komunikatën e tij, reprezentuesi argjentinas theksoi se nuk ka “asnjë çështje personale” me menaxherin Roberto Mancini dhe falënderoi pronarin e klubit, Sheikh Mansour, për “kuptim dhe përkrahje”.

Kapiteni i Manchester Cityt, i cili 17 muaj më parë erdhi nga rivali i qytetit Manchester United, tregoi se ai deshi të largohej gjatë verës, por ishte bindur të mbetet nga këshilltari i tij, Joorabchian. Kryesia e Cityt ka fajësuar biznesmenin iranian, duke e përshkruar sjelljen e Joorabchianit në relacion me situatën e Tevezit si “dëshpëruese”.

Por, Tevez theksoi: “Dëshira ime nuk ndikohet nga të tjerët. Kam dashur të largohem gjatë verës, por jam bindur të mbetem. Fatkeqësisht, ndjenjat e mia nuk kanë ndryshuar. Jam i dëshpëruar dhe menaxhmenti duhet të dërgojë çështjen në një rrugë tjetër. Marrëdhëniet e mia me disa drejtues të caktuar dhe individë në klub janë shkatërruar dhe nuk mund të përmirësohen. Nuk dua të zgjeroj këtë më tepër në këtë fazë. Ata e dinë, sepse u kam thënë atyre”.

City ka insistuar se ka bërë gjithçka në fuqinë e vet për t’i ndihmuar futbollistit të tij më të paguar, dy vajzat e të cilit jetojnë në Argjentinë. Klubi shpreson se Tevez do të luajë deri në verë e më pas të shitet. Kontrata e tij në Eastlands nuk skadon deri në korrik të vitit 2014.

Mbetet të shihet nëse ai do të paraqitet në ndeshjen e ardhshme të Manchester Cityt, në udhëtim te Juventus në Europa League të enjten. Më pas ekipi i Mancinit takohet me Evertonin në Premierligë më 20 dhjetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›