E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish Fetel, gjermani është kampion bote

SHKRUAN: Jeton Selimi 10-10-2011 16:25

Sebastian Fetel është kampioni i ri i botës në Formula 1, duke hyrë në histori si piloti më i ri në moshë që triumfon dy herë radhazi në sportin më të rëndësishëm të automobilizmit. Sukses i merituar për gjermanin e Red Bull, pas një dominimi total në këtë Botëror, ndërsa misioni për mbrojtjen e titullit u përmbush kur kanë mbetur edhe katër gara nga mbyllja e sezonit. Fetel është mjaftuar me vendin e tretë në Çmimin e Madh të Japonisë, duke kaluar finishin pas Janson Button dhe Fernando Alonsos. Gjithsesi, suksesi i këtyre të fundit ka vlerë vetëm statistikore, pasi pikët e marra i kanë mjaftuar gjermanit të ngjitet sërish në majën më të lartë të Formula 1. Kur mbeten edhe katër gara deri në fund të këtij Botërori, Fetel numëron 324 pikë në krye të renditjes, ndërsa diferenca prej 114 pikësh me Janson Button i lejon pilotit të Red Bull të mbyllë matematikisht betejën për titull. Por, përtej triumfit të pritshëm dhe rekordit të ri në Formula 1, shifrat e regjistruara nga Sebastian Fetel në këtë sezon janë me të vërtetë të frikshme. Tani shtatë herë kampioni i Botës Michael Schumaker ka një pasardhës të denjë. Nëntë fitore, 12 pole-position dhe vetëm një vend i katërt si rezultati më i dobët sezonal e bëjnë 24 vjeçarin një dominues të pistave. Por pas suksesit të dytë radhazi, Sebastian Fetel pritet të dominojë edhe merkaton e pilotëve në Formula 1. Megjithëse është ende në kontratë me Red Bull, prej kohësh përpara tij projektohet një e ardhme te Ferrari.

Fetel euforik

“Ka qenë një vit i gjatë dhe fantastic. Të fitosh titullin nuk është e thjeshtë, ta rifitosh është akoma më e vështirë”, thotë Fetel, dukshëm i emocionuar. “Këtu në Japoini nuk ka qenë e lehtë, nuk ishim aq të shpejtë me gomat e buta dhe humba dy pozicione. Në fund, makina po ecte mirë, por ishte e vështirë ta kaloja edhe njëherë Fernandon. Në Monza bëra parakalimin e vitit dhe e dija se nuk do ta kisha të lehtë që ta ribëja. Vendi i tretë është gjithsesi një rezultat i bukur, duhet të falendëroj të gjithë skuadrën që kanë marrë pjesë në këtë sukses me punën e tyrë.” Fitorja e tij ishte një monolog. “U gjendëm në një pozitë shumë të fortë, duhet t’u bëj komplimentet Batonit dhe Alonsos, shumë të zotë edhe sot (dje). Tre njëvendëshet në podium kanë qenë shumë pranë këtë sezon, ndyrshe nga sa thotë renditja. Çdo person në skuadër ka dhënë më shumë se 100% dhe nuk ka sekrete të veçanta për këtë triumf. I imi erdhi hap pas hapi. Gjëja më e vështirë ishte që të rifitonim dhe i vetëm nuk do ia kisha dalë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›