E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe pesë pozita

Fushata kualifikuese për Euro 2012 në kontinentin e Evropës përfundon të martën, ndërsa në dispozicion janë edhe pesë pozita që sigurojnë kualifikimin direkt. Prej skuadrave më të mëdha, Franca dhe Portugalia janë vetëm nga një pikë larg nga pjesëmarrja e garantuar në garën e vitit të ardhshëm në Poloni e Ukrainë. Por, betejë e ashpër do të zhvillohet edhe për pozitat e dyta, që dërgojnë në barazh.

Pesë pozita, që sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë për në Euro 2012, janë në dispozicion të martën, kur zhvillohen ndeshjet e fundit të fushatës kualifikuese. Franca dhe Portugalia janë skuadrat më të mëdha që ende nuk e kanë garantuar pjesëmarrjen e tyre.

Anglia barazoi me Malin e Zi të premten dhe u bë skuadra e pestë që u kualifikua për në Euro 2012 së bashku me fituesit e tjerë të grupeve Spanjën, Italinë, Gjermaninë dhe Holandën, ndërsa Polonia dhe Ukraina e kanë të sigurt pjesëmarrjen si shtete nikoqire. Xhiroja e fundit e takimeve do të përcaktojë katër grupe, dy herë kampioni Franca dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos zhvillojnë ndeshjet vendimtare kundër Bosnjës e Hercegovinës, respektivisht Danimarkës për të përcaktuar se kush do të përfundojë i pari në grupet përkatëse.

Liderit të Grupit B, Rusisë i mjafton edhe barazimi kundër Andorrës – që nuk ka asnjë pikë të vetme – për të siguruar pozitën e parë, ndërsa edhe Greqisë i nevojitet vetëm edhe një pikë në Gjeorgji për të siguruar pozitën e parë në Grupin F, para Kroacisë. Pozita tjetër që siguron kualifikimin e drejtpërdrejtë i takon skuadrës e cila është e dyta, por që ka bilancin më të mirë se cili do ekip tjetër nga e njëjta pozitë.

Tetë skuadrat e tjera që do të përfundojnë të dytat, në katër çifte do të takohen në barazh. Suedia tashmë ka siguruar përfundimin në dy pozitat e para në Grupi E, por me fitore në shtëpi kundër Holandës do të sigurojë kualifikimin direkt me bilancin më të mirë nga pozita e dytë. Por, Tulipanët janë njëra prej tri ekipeve – me Spanjën dhe Gjermaninë – që kanë bilanc perfekt në kualifikime.

Franca është e pamposhtur në 14 ndeshjet e saj të fundit, përfshirë miqësoret, por ende nuk ka arritur të ‘heqë qafe’ Bosnjën e Hercegovinën, që ka vetëm një pikë më pak se fituesi i Euro 1984 dhe 2000 në pozitën e dytë. Portugalia dhe Danimarka kanë nga 16 pikë secila para përballjes vendimtare në Grupin H në Kopenhagë, por portugezët mund të përfundojnë të parët edhe me barazim.

Në Grupin I, Skocia duhet të fitojë në udhëtim te kampioni aktual i botës dhe i Evropës, Spanja, për të përfunduar e dyta, ndërsa Republika çeke viziton Lituaninë dhe ka një pikë më pak se Skocia në pozitën e tretë dhe do të shpresojë që Spanja nuk do t’i pushojë shumicën e futbollistëve kryesorë për takimin e tyre. Serbia duhet të mposhtë Slloveninë për të tejkaluar Estoninë dhe të përfundojë e dyta në Grupin C, prapa Italisë.

Në Grupin A, Belgjika ka një pikë epërsi ndaj Turqisë, që është e treta, në garë për pozitën e dytë, por përfundon fushatën kualifikuese në Gjermani, që ka tubuar maksimum 27 pikë nga nëntë ndeshje. Kjo e favorizon Turqinë të përfundojë e dyta para ndeshjes së saj në shtëpi kundër Azerbajxhanit.

Grupi A

Kazakistani-Austria 18:00

Gjermania-Belgjika 19:00

Turqia-Azerbajxhani 19:00

Grupi B

Rep.e Irlandës-Armenia 19:45

Maqedonia-Sllovakia 19:45

Rusia-Andorra 19:45

Grupi C

Italia-Irlanda e Veriut 20:45

Sllovenia-Serbia 20:45

Grupi D

Shqipëria-Rumania 21:00

Franca-Bosnja e H. 21:00

Grupi E

Hungaria-Finlanda 20:00

Moldavia-San Marino 20:00

Suedia-Holanda 20:15

Grupi F

Kroacia-Letonia 19:00

Gjeorgjia-Greqia 19:00

Malta-Izraeli 19:00

Grupi G

Bullgaria-Uellsi 20:05

Zvicra-Mali i Zi 20:15

Grupi H

Danimarka-Portugalia 20:15

Norvegjia-Qipro 20:15

Grupi I

Lituania-Rep. çeke 20:45

Spanja-Skocia 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›