Barcelona, më e mirë se Spanja

Spanja ka dominuar në futbollin ndërkombëtar në vitet e fundit duke fituar Euro 2008 dhe Kampionatin botëror 2010, ndërsa Barcelona ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve dy herë në tri sezonet e fundit. “Barcelona ka vendosur një standard në futboll. Ata luajnë futboll perfekt sepse kanë finesë në lojën e tyre, përshtatshmëri në mënyrën si e lëvizin topin rreth fushës”, tha Beckenbauer për Kicker.
“Ata janë edhe më të mirë se Kombëtarja e Spanjës sepse kanë Lionel Messin. Ata kanë kualitet për të mbrojtur me sukses titullin e tyre në Ligën e Kampionëve”, shtoi ish reprezentuesi gjerman i cili ka thurur lavde edhe për ekipin e Vicente del Bosques.
“Spanja ka ekipin kombëtar më të mirë në botë dhe është favorite për të fituar Euro 2012. Gjermania ka avancuar shumë dhe është në atë kategori. Franca mund të shkaktojë befasi. Ata kanë qenë në qendër të vëmendjes për arsye të këqija më 2010, por tani duken shumë më mirë”, u shpreh ai.
Spanja dhe Gjermania tashmë kanë siguruar kualifikimin për në Euro 2012, ndërsa Francës i nevojitet edhe një barazim të martën nga ndeshja e saj e fundit në Grupin D në shtëpi kundër Bosnjës e Hercegovinës për të siguruar pjesëmarrjen.