E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohen të ardhurat nga tatimi i pagës

Administrata tatimore ka bërë dje bilancin e punës së saj për katër muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare nga kjo administratë, të ardhurat tatimore janë realizuar në masën 111.8 për qind, ose rreth 3.3 miliardë lekë mbi planin. Aplikimi i taksës 10 për qind mbi pagën ka rritur ndjeshëm nivelin e të ardhurave nga taksa e tatimit mbi të ardhurat personale. Sipas të dhënave tatimore, të ardhurat nga ky lloj tatimi janë   dyfishuar, pra janë realizuar rreth 3.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007, ose në masën 209.6 për qind. Edhe pse tatimi mbi fitimin është përgjysmuar, të ardhurat për këtë lloj tatimi janë rritur në shumën 121 milionë lekë, ose në masën 101.7%. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) zë peshën kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në këtë katërmujor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, niveli i të ardhurave është rritur në shumën 2.2 miliardë lekë, ose në masën 126.2 për qind. Sipas të dhënave tatimore, rimbursimi faktik i paguar i muajit prill arrin në masën 91 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërsa si 4-mujor  rimbursimi faktik i paguar, krahasuar me 4-mujorin e vitit 2007, është në masën 280 milionë lekë më shumë, ose në 90.86%. Ndërsa nga kazinotë dhe lojërat e fatit, janë arkëtuar 147 milionë lekë, ose në masën 130.32% krahasuar me 4-mujorin e vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›