Komunat më afër Tiranës, drejt përfundimit 2 akse rrugore

Plot tre fshatra të 2 Komunave Dajt dhe Farkë lidhen lehtësisht me Tiranën falë investimit të bërë në dy segmendet rrugore:Uzina e Autotraktorëve-Lanabregas dhe Surrel-Farkë me një gjatësi 6.4 km, punimet e se cilës janë drejt përfundimit.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, tha se ky është një investim kompleks që përfshin kanalizimin e ujërave të bardha dhe të zeza, ndërtimin e trotuareve si dhe sistem ndricimi.
Beci theksoi se prej investimit përfitojnë 9 mijë banorë të zonës, të cilët tashmë do të kenë një akses më të lehtësuar për në qytet, për të përfituar shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Për më tepër sipas Becit kjo zonë kthehet në një lagje të rregullt të kryeqytetit.
Gjithashtu përfundimi i këtyre segmenteve rrugore është një lajm i mirë edhe për gjithë banorët e qytetit të Tiranës , pasi lehtëson deri në 30 minuta udhëtimin për në parkun kombëtar të Dajtit, Liqenin e Farkës si dhe për frekuentimin e restoranteve dhe hoteleve që ndodhen në këtë zonë.
Ky investim është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve dhe kap vlerën e 157 milion lekë.