E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish në spotlight

 

Lajmet që erdhën nga Himara, pas konfuzionit të fillimit, po fillojnë e qartësohen, ku sipas raporteve të mediave të ndryshme, në thelb, ajo që ka ndodhur ka qenë një incident banal i shoqërimit të dy të rinjve që lëviznin me targa të huaja në komisariat. Fill pas kësaj, babai i njërit syresh shkon të denoncojë dhunën (e supozuar) të shkaktuar ndaj të birit dhe i rekomandohet të bëjë kallëzim pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Pa pritur që SHKB-ja të vihet në lëvizje, ky kauboj lokal shkon dhe qëllon një patrullë policie dhe më pas i yshtur apo komanduar nga shefat e vet, së bashku me disa miq e të afërm, shkojnë dhe i rrethojnë komisariatin dhe qëllojnë me gurë drejt tij. Madje situata do kishte precipituar më tej, në qoftë se nuk do uleshin për kafe udhëheqësi i bandave rrugaçe, Bollano, me Prefektin e Vlorës që ishte nisur me urgjencë për në vendngjarje. Kjo është edhe një prej dy zhvillimeve kryesore që ndodhën veç pak ditë më parë në Himarë.

Ngjarja tjetër, që për koincidencë përkoi gati në të njëjtën kohë me këtë situatë të ndezur, ishte vizita e zv.ministrit të Jashtëm grek, Kasimis, i cili nëpërmjet një gjuhe ezopiane dërgoi mesazhe "qetësie" që në fakt mund të përkthehen edhe ndryshe. Për shembull, pasi i dha të drejtë një bashkëkombësi që kërkoi t'i jepeshin nënshtetësia dhe e drejta e votimit në Greqi, diplomati grek iu përgjigj se këta duhet të "rrinin këtu", pra në Himarë, dhe se kufijtë janë të parëndësishëm. Pra, këta grekë që në revoltë e sipër kërkuan autonomi dhe polici greke (pasi gjuhën, flamurin dhe simbole të tjera kanë kohë që i përdorin), janë të rëndësishëm për Greqinë, por jo aq sa t'i marrë në vend të vet.

Ata janë të rëndësishëm pikërisht aty ku janë, madje e mira do ishte të shtoheshin dhe kjo nuk është edhe aq e zorshme po të konsiderohen dhjetëra Muharrema, Ismailë e të tjerë që i kthyen emrat në Mihallaq apo Janis, për shkak përfitimesh ekonomike që nuk mund t'i marrin nga vendi amë, apo si rasti i Erjonit të Himarës që ishte kthyer në Jorgo dhe që shërbeu edhe si fitil i dhunës së bashkëfshatarëve të vet ndaj institucioneve shtetërore pak ditë më parë.

Të ishte hera e parë që ndodhin incidente të tilla provokuese, do ishte e tepërt të shkruheshin këto radhë, madje t'i kushtohej edhe vëmendja më e vogël ngjarjeve të tilla banale. Njëfarë Bollano anonim na është kthyer në një ndër kryebashkiakët më të përmendur në faqet e shtypit dhe, për më tepër, sillet me arrogancën më të madhe ndaj çdolloj institucioni shtetëror, pa i hyrë gjemb në këmbë. Vetëm pak kohë më parë, u hoqën me urdhër të Bollanos të gjitha shenjat e sinjalistikës në rrugë, monumente kulture apo kisha, me pretendimin se ishin shkruar vetëm në shqip dhe anglisht, por jo në greqisht. Dhe ato nuk u hoqën vetëm në ato lokalitete që janë me popullsi ku shumica janë me kombësi greke, por edhe përgjatë rrugëve nacionale dhe në një hapësirë mjaft më të madhe sesa shtrihej juridiksioni ligjor i tij. Reagimi i shtetit që kishte investuar me dhjetëra miliona lekë nga paratë e taksapaguesve: Zero!

Një tjetër episod i pakëndshëm, ishte në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës, ku po i njëjti feudal lokal, pra Bollanua, kërkonte autonomi territoriale (jo gjuhësore) për Himarën, bazuar në precedentin (sipas tij) të Kosovës. Reagimi i shtetit edhe në këtë rast qe i papërfillshëm, ashtu sikundër ka qenë edhe në rast të komunikimeve të tjera të vazhdueshme të këtij kryebashkiaku, i cili për rrjedhojë gëzon një status të "të paprekshmi" që del jashtë çdo kufiri kushtetues apo kornize ligjore që ka ky shtet. Kjo ndoshta deri dje ishte justifikuar me deklarata të tilla patetike, si "greku të bën gjëmën dhe të pengon hyrjen në NATO" apo të ngjashme, por mendoj se ky lloj servilizmi shtetëror është i tepërt. Në fund të fundit, një kryebashkiak i parëndësishëm i një qyteti që numëron vetëm disa mijëra banorë dhe që, për më tepër, nuk përfaqëson interesin e një pjese të konsiderueshme syresh, nuk mund të jetë as pengesë dhe as kusht i marrëdhënieve normale me vendin fqinj.

Përkundrazi, duke e injoruar, lejuar, patur frikë apo duke i bërë publicitet të panevojshëm edhe deklaratave banale të tij, këtij të fundit vetëm i rritet kapitali politik dhe shndërrohet në faktor apo aktor i dorës së parë, pa patur asnjë kualitet për të qenë i tillë. Ndërkohë që shteti shqiptar ka shprehur vullnetin për të shërbyer si negociator mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të kësaj të fundit, që ishte shkaku i vetos greke ndaj anëtarësimit të saj në NATO gjatë Samitit të fundit, është mirë që para se të ndërmarrë iniciativa të tilla rajonale, të zgjidhë së pari problemet e brendshme, ku ngjarje si kjo e Himarës vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të vepruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›