Pensionet, skema drejt falimentimit
Sigurimet Shoqërore mund të falimentojnë më 2012
Nga llogaritjet, mbi 100 mijë "të vetëpunësuar në bujqësi" do të kërkojnë pension
Skema ekzistuese i kërkon të punësuarve në qytet, të paguajnë shumë herë më shumë sot sesa do të marrin kur të dalin në pension, ndërsa të vetëpunësuarve në fshat u kërkohet një kontribut simbolik përkundrejt një pensioni minimal.
Skema e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri pritet të bëhet një gropë thuajse e papërballueshme për Buxhetin e Shtetit, rreth vitit 2012, kur të vetëpunësuarit në bujqësi që kanë filluar të kontribuojnë që nga viti 1992, do të kthehen nga kontribuues në përfitues të skemës. Paralajmërimi vjen nga ekspertët që punojnë në kompanitë private të sigurimeve suplementare, të cilët thonë se me projeksionet aktuale të të ardhurave dhe shpenzimeve, shpenzimet për sigurimet shoqërore që financohen nga buxheti, mund të arrijnë në gjysmë miliardi euro në vit. Këtë vit, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, pritet të kenë një nga deficitet më të larta në histori, ku të ardhurat janë thjeshtë 25 miliardë lekë, (200 milionë euro) më të pakta se shpenzimet. Në vitin 2012, pritet që barra në ngarkim të Buxhetit të Shtetit të arrijë në 3.5% të PBB-së, sipas një analize të Bankës Botërore, gjë që do të thotë se minimalisht 46 miliardë lekë (rreth 370 milionë euro) do të duhet të hiqen nga të ardhurat buxhetore për të shlyer pensionet.
Kriza nga pensionet e fshatit
Në vitin 1992, kur u hap skema e sigurimeve shoqërore, banorët e fshatit u klasifikuan si "të vetëpunësuar në bujqësi". Atyre iu kërkuan kontribute modeste dhe të përballueshme. Për zonat fushore, kërkoheshin kontribute prej 652 lekësh në muaj. Për zonat malore, vetëm 449 lekë në muaj. Diferencën e mori përsipër ta mbulojë qeveria me fonde nga Buxheti i Shtetit. Gjithsej, rreth 600 mijë "të vetëpunësuar në bujqësi" konsiderohen nga ISSH si kontribuues në skemë, por kontributet e tyre janë minimale. Fshati aktualisht ka një normë mbulimi prej 0.32 kontribuuesi për përfitues pensioni. Në të ardhmen, kjo situatë pritet të përkeqësohet më shumë.
Skema e sigurimeve shoqërore u konsiderua si një minë me sahat që në vitet 2000. Gjithmonë kishte shumë pak kontribuues dhe shumë përfitues.
Me këshillë nga ndërkombëtarët, mosha e pensionit u rrit vazhdimisht, jo aq shumë për të shtuar vitet e kontributeve sesa për të ulur vitet e përfitimit. Aktualisht, mosha e daljes në pension është 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, ndërsa kërkohet që përveç rritjes së mëtejshme të moshës së daljes në pension të eliminohen edhe pensionet e parakohshme, si dhe të rriten vitet e punës së nevojshme për pension minimal.
Pensionistët e rremë ose pa kontribute
Problemi më i madh, nuk duket se është thjeshtë te raporti kontribute-përfitime, por edhe të fakti se me sistemin ekzistues dokumentar të vendit, vlerësohet se 80 mijë vetë sot për sot janë pensionistë të rremë. Aktualisht është shumë e lehtë për të plotësuar dokumente për pension. Zyra komunash japin dokumente të rreme ose të pabazuara në dokumentacion për njerëz që kanë qenë të punësuar si ndërmarrjet bujqësore gjatë kohës së komunizmit. E njëjta gjë ndodh edhe më fabrikat e falimentuara. Vetëm pak ditë më parë, një kryekomunar u arrestua për lëshim dokumentesh të rreme për efekt pensionesh.
Vlerësime tepër optimiste nga qeveria
Sipas programit buxhetor afatmesëm 2008-2010, situata do të jetë shumë më e qëndrueshme dhe se nuk ka vend për alarm. Ndërsa deficiti total i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për këtë vit, është 25 miliardë lekë, PBA parashikon që në vitin 2010 pritet të zbresë në 21 miliardë lekë.
Historia e krizës
Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duket se janë komponenti i fundit i mbajtur gjallë nga falimentimi i përgjithshëm i vendit, pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Në atë kohë, Buxheti i Shtetit u detyrua të mbulojë me të ardhura nga taksat pensionet e vjetra, të cilat, sido që qenë minimale, qenë një barrë e rëndë. Me kalimin e viteve, u gjetën skema bujare nga ana e shtetit për të futur sa më shumë njerëz në listën e kontribuuesve. Sigurime vullnetare u ofruan kundrejt pagesave shumë të ulëta vjetore në krahasim me sigurimet e zakonshme ndërsa një formë sigurimi vullnetar u ofrua për fshatarët përkundrejt pagesave simbolike. Për asnjë çast nuk u pranua që pensionet ekzistuese duhej të shlyheshin nga buxheti, ndërkohë që për të punësuarit e rinj duhej të ofrohej një paketë drejtë kontribute/përfitim. Gjatë gjithë këtyre viteve, sigurimet shoqërore u konsideruan si taksa dhe jo si llogari kursimi për pleqërinë. Shteti kërkon kontribute për 35 vjet, ndërsa ofron një pension në nivelin e mëshirës, pavarësisht suksesit në jetë të kontribuuesit. Nëse sot del në pension me pagë 50 mijë lekë në muaj, pensioni i ofruar është vetëm 17 mijë lekë në muaj. Ndërsa nuk ofrohej asnjë stimul për kontribuuesit e mëdhenj, u ofruan stimuj pa fund për kontribuuesit e vegjël Ndërsa një të punësuari në qytet i ofrohej pension shumë herë më i ulët sesa sasia e kontributeve, një të vetëpunësuari në fshat i ofrohej një pension shumë herë më i lartë sesa kontributet e paguara. Pastrimi i skemës nga borxhet e akumuluara gjatë këtyre viteve mund të kërkojë një sakrificë shumëvjeçare të buxhetit të shtetit që për pasojë do të detyrohet të ulë investimet publike, me efekte negative afatgjata në ekonomi.
Sigurimet shëndetësore sakaq janë në krizë
Edhe skema e sigurimeve shëndetësore është kthyer në një bombë me sahat gjatë viteve të fundit. Në vitin 2005, ISKSH pati shpenzime totale prej 5.9 miliardë lekësh, rreth 48 milionë euro, ndërsa këtë vit, shpenzimet pritet të rriten në 11 miliardë lekë ose 90 milionë euro. Parashikimet për vitin 2010 janë që të ardhurat e sigurimeve shëndetësore të arrijnë në 7 miliardë lekë ndërsa shpenzimet në 13 miliardë lekë.
Shpenzimet për sigurimet shoqërore varen kryesisht nga politika e blerjes së barnave të subvencionuara nga ana e shtetit. Kompanitë private negociojnë çmimet për barnat me një zyrë të Ministrisë së Shëndetësisë. Nga rezultati i negociatave varet sasia e parave të shpenzuara për subvencionime. Rritja e papritur e shpenzimeve në vitet 2005 dhe 2006 u shkaktua vetëm nga një vendim qeverie i vitit 2004 që shtoi ndjeshëm normën e pranuar të fitimit të kompanive importuese të ilaçeve. Sipas një raporti të Bankës Botërore, sigurimet shëndetësore sot janë në krizën që sigurimet shoqërore do të mbërrijnë pas disa vitesh. Por sigurimet shëndetësore janë dhjetë herë më të vogla sesa sigurimet shoqërore.
Skema e pensioneve tronditet nga rënia e numrit të kontribuuesve pas të dhënave të punësimit
Pensionet, jashtë skemës 30 mijë kontribuues
Papunësia në shifra rekord dhe skema e dështuar, rrezikojnë sistemin e pensioneve
Normat e larta të papunësisë tregojnë edhe situatën e vështirë të cilën po kalon vendi. Norma zyrtare e papunësisë në vend llogaritet rreth 13.8%, por shifra është e manipuluar, sipas Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA). Në llogarinë që bën për normën e papunësisë INSTAT e merr gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat si plotësisht të vetëpunësuar. Një fakt i tillë ka bërë që edhe diferenca midis llogarive të kontribuuesve dhe numrit real të tyre, të ketë një diferencë prej 30 mijë persona.
Skema e pensioneve nuk arrin dot që të rrisë numrin e kontribuuesve sipas parashikimeve. Shkak për këtë dështim është bërë norma e lartë e papunësisë, ose thënë ndryshe, kolapsi i tregut të punës.
Në marrëveshjen e lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare është detyruar që të ulë numrin e kontribuuesve të rinj, që do të futeshin në skemë me 30 mijë deri në muajin qershor. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se numri i kontribuuesve në Sigurimet Shoqërore do të jetë vetëm 410 mijë persona në fund të muajit qershor nga 440 mijë që ishte parashikuar në marrëveshjen me qeverinë shqiptare. Në këtë numër nuk përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të gjithë ata persona që paguajnë sigurime shoqërore në mënyrë vullnetare. Shkaqet për mosarritjen e numrit të kontribuuesve në skemë ka ardhur, sipas Fondit, për shkak të numri të ulët të punësimit, konstatuar në të dhënat e fundit të marra nga ekonomia shqiptare. Ritmet e ulëta të rritjes së punësimi tregojnë situatën e vështirë të cilën po kalon vendi. Norma zyrtare e papunësisë në vend llogaritet rreth 13.8%, por shifra është e manipuluar, sipas Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA). Sipas raportit vjetor të CIA-s për 2007, norma e papunësisë në Shqipëri është më e lartë se 30 për qind, pra 3 herë më shumë se shifra zyrtare. Në llogarinë që bën për normën e papunësisë INSTAT e merr gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat si plotësisht të vetëpunësuar. Një fakt i tillë ka bërë që edhe diferenca midis llogarive të kontribuuesve dhe numrit real të tyre, të ketë një diferencë prej 30 mijë persona. Nga ana tjetër vetë skema e pensioneve nuk është atraktive, duke i bërë të punësuarit në sektorin privat që të shmangen prej saj. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, problemi kryesor që po çon skemën drejt falimentimit është mungesa e një kuadri ligjor që do të nxiste vetëdeklarimin e pagave dhe nivelit real të tyre. Çdo ndryshim i miratuar ndihmon për zgjidhjen e një problemi që ka lindur, por prish diçka tjetër. Kështu p.sh., përpjekja për rritjen e të ardhurave përmes rritjes së tavanit të kontributeve deri në pesëfishin e pagës mesatare mund të ketë përmirësuar të ardhurat në periudhën afatshkurtër, por duke qenë se nuk është shoqëruar me ndryshime në formulën e përfitimit, stimujt që individët me të ardhura të larta të raportojnë të ardhurat e tyre të vërteta dhe të paguajnë kontribute për to janë përkeqësuar ndjeshëm. Eventualisht, do t'ia vlente një rivlerësim i sistemit të pensioneve dhe të mendohej nëse sistemi aktual mund të arrijë objektivat që qeveria do të donte të arrinte ose nëse një strukturë alternative do të ishte më mirë. Ky seksion përpiqet të parashtrojë opsionet që ka qeveria në trajtimin e strukturave alternative.
***
Mosha e daljes në pension në Shqipëri është ende relativisht e ulët, sipas FMN-së. Në fillim, mosha e daljes në pension për shumicën e popullsisë ishte 60 vjeç për burrat dhe 55 për gratë dhe një moshë më e ulët për kategori të veçanta, tek 50 vjeç për burrat dhe 45 për gratë. Këto kategori të veçanta po hiqen gradualisht, ndërsa mosha e daljes në pension është rritur në 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë, por këto mosha do të arrihen nga shumica e të punësuarve vetëm në vitin 2011 dhe ndoshta edhe më vonë, për kategori të veçanta të punësuarish. Skema aktuale e pensione, sipas ekspertëve të Bankës Botërore, siguron që në të ardhmen rreth 40 për qind e atyre që mbushin moshën, të mos mundet që të kenë një pension. Rreth 240 milionë dollarë është shuma që Buxheti i Shtetit do të duhet që të japë për të financuar pagesën e sigurimeve shoqërore gjatë vitit 2008. Një situatë e tillë pritet që të jetë e pranishme edhe gjatë viteve në vazhdim, në një kohë që problematikë më e madhe vjen pasi të gjitha pensionet e fshatit që janë më shumë se 50% e totalit, pritet që të barazohen me ato të qytetit pas 5-vjeçarit të ardhshëm. Duke pasur parasysh se Shqipëria nuk mund të ketë një luks për të patur një popullsi me një mesatare moshe kaq të re, kolapsi i skemës nuk duket shumë i largët.
J.Llupo
+++
Qeveria kërkon konsensus me opozitën për skemën e re, preken shtresat e varfra
Skema e re, peng i votave të pensionistëve
Qeveria në udhëkryq, skema e re lë jashtë segmente të mëdha të popullsisë
Megjithëse skema e pensioneve detyrohet që të marrë një subvencion që po shkon afër 40 për qind të kontributeve qeveria, veç arnimeve në ligj, nuk mundet të bëjë asgjë për një ndryshim të plotë të skemës për kostot politike që mbart ky vendim. Qeveria tani e gjen veten në një udhëkryq, përsa i përket modelit të pensioneve dhe i duhet të ristrukturojë rrënjësisht sistemin aktual, duke eliminuar shumë ose pjesën më të madhe të mangësive aktuale, por kjo do ta linte sërish sistemin një sistem me kosto relativisht të larta borderoje dhe segmente të mëdha të popullsisë të pambrojtura nga risqet e ndryshme. Skema e re e propozuar edhe nga ana e Bankës Botërore bazohet në ato çka individi paguan si kontribute, duke nxjerrë jashtë skemës së pensioneve ata që kanë kontribute minimale dhe përgjithësisht të vetëpunësuarit në bujqësi. Kjo kategori, sipas Bankës, duhet të trajtohet thjesht me subvencione për të dalë jashtë varfërisë. Sipas Bankës Botërore, qeveria mund të zgjedhë të heqë sistemin kontributiv, duke eliminuar kostot e larta të borderove dhe duke u përqendruar tek ofrimi i përfitimeve për uljen e varfërisë kundrejt shumë risqeve me të cilat mund të përballet një individ, por kjo nuk do të siguronte mjete për zbutjen e ndjeshme të konsumit.
***
Por sipas BB çfarëdo vendimi që të marrë qeveria në lidhje me sistemin e pensioneve, ai do të ketë implikime për degët e tjera të sigurimeve shoqërore. Shumica e këtyre risqeve të tjera mundet ose të mbulohen nga shteti në nivelin e uljes së varfërisë ose mund të mbulohen direkt nga punëdhënësit, në rast se nuk do të kishte sistem kontributiv pensionesh. Nga ana tjetër, në rast se do të vazhdohet me sistemin kontributiv të pensioneve, secila nga këto degë të sigurimeve duhet të vlerësohet për të përcaktuar nivelin e duhur të kontributit që kërkohet dhe mund të vazhdohet me një pjesë ose me të gjithin. Në këtë rast, një vlerësim i mëtejshëm duhet të përcaktojë nëse personat e mbuluar nga sigurimet zyrtare shoqërore gjithashtu duhet të jenë të mbuluar përkundrejt një risku të caktuar dhe të përcaktojë gjithashtu nëse ky duhet ofruar ndoshta përmes pagesës në kuadrin e Ndihmës Ekonomike.
Ne skemën e re të pensioneve që pritet që jetë edhe shpëtimi nga dështimi i skemës aktuale, nuk do të përfshihen të gjitha kategoritë e kontribuuesve. Ata që kanë një periudhë kontributesh 25-30 vjet me sistemin aktual, nuk do të përfshihen në skemën re. Njëkohësisht, nuk do të jenë pjesë e kësaj skeme as të moshuarit që aktualisht përfitojnë pension.
Skema e re që po diskutohet me specialistët e Bankës Botërore kërkon që të ketë një ndarje të kontributit, por institutet private të pensioneve duhet që të jenë të licencuara dhe do të kenë kërkesa specifike, për të marrë të drejtën e menaxhimit të këtyre fondeve dhe përfitimi shtesë nga menaxhimi privat i një pjese të kontributeve më shumë vjen nga investimi. Sipas skemës, alternativat nga investimet në forma të ndryshme në tregun financiar janë edhe çelësi për daljen nga kriza. Ato mund të depozitohen nëpër banka, mund të investohen në tregun evropian. Në këtë mënyrë lidhet më fort kontributi me detyrimin, nëpërmjet reformimit të sistemit ekzistues dhe e dyta nëpërmjet kolonës së dytë, në të cilën t'i do të marrësh vetëm atë që ke kontribuar dhe nuk mund të marrësh më përfitime me dëshirën e mirë të qeverisë.