E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish opozitë e shëmtuar në Parlament

28-09-2012 / Gazeta 55

Seanca e djeshme plenare shërbeu as më shumë e as më pak, por thjesht për të vënë pikat mbi ‘i’ mbi atë që ka dominuar gjatë gjithë kësaj kohe si në masmedia ashtu edhe në mediumet politike vendase dhe ndërkombëtare se, Partia Socialiste po shfrytëzon të gjitha hapësirat e mundshme për ta lënë Shqipërinë pa status kandidat për të tretin vit radhazi. Plot 6 orë diskutime në Kuvend për çështjet brenda rendit të ditës nuk i mjaftuan opozitës për reflektim në shprehjen e votës “pro” për ligjin e Gjykatës së Lartë, por thjesht mbeti në pozita bllokuese njësoj si në seancën e 6 gushtit me ligjin për kufizimin e imunitetit. Duke shmangur çdo përgjegjësi për sfidat e integrimit, Partia Socialiste dhe Edi Rama s’e kanë për gjë të dalin sërish të turpëruar dhe kokulur nga salla e Kuvendit, pasi paralajmërimi i gramafonit të prishur, Gramoz Ruçi është se s’do ketë reforma pa u “liruar” Këshilli i Qarkut të Fierit. Pretendime banale dhe domethënëse në aspektin e vizionit të politikëbërjes së Edi Ramës, tërësisht lokaliste dhe aspak protagoniste në rendjen pas perspektivës evropiane. Por ky është problemi i vetë socialistëve. Vetë e kanë zgjedhur të qëndrojnë në pozita lokaliste dhe të bëjnë ‘bubullima’ me paralajmërime banditeske se do bllokojnë statusin kandidat, ashtu siç edhe kanë bërë gjatë dy viteve të fundit. Mungesa e argumenteve, debateve të brendshme dhe dialogut mes ligjvënësve është në një farë mënyrë shkaku i ngërçit politik të Partisë Socialiste, aq sa e detyron kastën e tyre të bllokimit, të ulë nivelin e diskutimit me zhvillime lokale, në një kohë kur konsistenca dhe vëmendja e të gjithëve, është tek raporti vjetor i Brukselit. Deputetët socialistë e kushtëzojnë votën “pro” këtij pr/ligji të rëndësishëm me plotësimin e kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me reformën parlamentare, zhbllokimin e financimeve për bashkitë e drejtuara nga opozita dhe zgjidhjen e problemit për drejtimin e qarkut të Fierit. Ndërkohë, që ndërkombëtarët janë shprehur që ndryshimet në ligjin “Për Gjykatën e Lartë” të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që të bëhen pjesë e vlerësimit që komisioni pritet të japë për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Mungesa e konsensusit, pasi gjatë gjithë diskutimeve të seancës ishin shprehur se do të votonin kundër, e detyroi kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli të mos e hedhë në votim projektligjin. Ajo u shpreh se projektligji për Gjykatën e Lartë do jetë në Kuvend, atëherë kur PS të ndryshojë mendim dhe t’i rikthehet konstruktivitetit. “Nuk do ta hedhim në votim deri sa tu mbushet mendja juve”, iu drejtua Topalli deputetëve të opozitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›