E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: PS, politikë kundër axhendës së integrimit të vendit

28-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Drejtësisë: Ne jemi deputetë, s’bëhemi dot gjyqtarë

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi reagoi dje ndaj rolit bllokues të opozitës në miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë.
Ai theksoi se, axhenda e Partisë Socialiste sot nuk është ajo e integrimit, por axhenda e kryetarit të saj, Edi Rama. “Me qëndrimin kundërshtues për p/ligjin “Për Gjykatën e Lartë” PS i bëri të qartë qytetarëve se ajo nuk e jep votën për reformat, ndërsa axhenda e saj nuk është ajo e integrimit, por axhenda e kryetarit Rama”, deklaroi ministri Halimi.
Prej gati pesë orësh parlamenti debatoi politikisht rreth p/ligjit, miratimi i të cilit kushtëzohet nga opozita me zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit. Në përgjigje të këtij qëndrimi, ministri Halimi tha se, “ne jemi deputetë dhe nuk bëhemi dot përmbarues dhe as gjyqtarë”. “Keni pesë orë që po gënjeni fierakët, kur kërkoni të ekzekutohet një vendim për qarkun e Fierit. Ne sot nuk duhet të diskutonim çështjen e Fierit, por p/ligjin “Për Gjykatën e Lartë” dhe reformat që do të na çojnë drejt standardeve të BE-së”, theksoi ministri.
Ai vlerësoi se ligji në fjalë sjell reformat në sistemin e drejtësisë dhe është i domosdoshëm. “P/ligji vjen sot si kusht i pa negociueshëm për funksionimin e ‘Gjykatës Administrative’, ndërsa miratimi i tij është i domosdoshëm për reformimin e sistemit të drejtësisë”, u shpreh Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›