E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish për SHIK’un

Zyrtarë të PDK’së dhe LDK’së prapë janë përplasur për SHIK’un. Isa Mustafa dhe partia e tij dy herë gjatë kësaj jave kanë deklaruar se Qeveria po financon SHIK’un. Hajredin Kuçi ka thënë se Mustafa nuk duhet që ta mbulojë mospunën e vet me akuza ndaj të tjerëve. Ai ka ftuar kreun e opozitës në debat televiziv për të diskutuar për të gjitha çështjet. Nga Valmir Klaiqi më 30 qershor 2011 në ora 08:36

Partia më e madhe opozitare, LDK, sërish ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga PDK’ja se po i financon strukturat e SHIK’ut, në vend se të punojë për interesat e Kosovës.

Këto akuza janë bërë dy herë gjatë kësaj jave. Fillimisht nga lideri i LDK’së, Isa Mustafa gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit. Duke folur rreth privatizimit të PTK’së, kreu i opozitës ka deklaruar se partia e tij nuk është shumë e zëshme kundër privatizimit të kësaj kompanie, sepse ajo është në duart e PDK’së dhe më mirë është që të privatizohet sesa të financojë njerëzit e SHIK’ut e të Thaçit.

Akuza të ngjashme nga Lidhja e Demokratike e Kosovës kanë ardhur edhe të mërkurën, përmes një deklarate për media.

“Kjo Qeveri nuk e ka as vullnetin për të punuar për interesat e vendit, por vetëm për interesat e veta edhe të strukturave që i mban e i financon ilegalisht”, thuhet në deklaratë.

Kryetarit të LDK’së i është kundërpërgjigjur Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë.

Kuçi ka thënë se Mustafa nuk duhet që ta mbulojë mospunën e vet me akuza ndaj të tjerëve, por ai ka shtuar se nuk dëshiron që nga foltorja e Qeverisë të luaj ‘ping-pong’ mes pozitës dhe opozitës.

Për akuzat dhe për pretendimet çfarëdo qofshin ato, Kuçi ka porositur liderin e LDK’së që t’i drejtohet Prokurorisë dhe gjykatave.

I pyetur se a e di Qeveria nëse ekziston SHIK’u, Kuçi ka thënë se kjo është “pyetje pa objekt”.

“Unë nuk e di që ka dhe nëse e di dikush që ka veprime të tilla, po e ftoj në gjykatë. Por një po e them, mos ta mbulojë dikush mospunën duke akuzuar të tjerët, por me alternativa, me punë, me përgjegjësi”, është shprehur Kuçi.
Kuçi ka ftuar në përballje televizive Isa Mustafën për të debatuar, siç ka thënë ai, për të gjitha temat që dëshiron Mustafa.

Ai tha se është zëvendëskryeministër edhe i PDK’së, edhe i LDK’së dhe i të gjithë qytetarëve dhe nuk dëshiron të japë sinjale nga pozita e zëvendëskryeministrit se e mbron një parti apo e atakon një tjetër.

“Kam përgjigje për secilin, por nuk do të jap përgjigje nga kjo logo, nga ky ‘background’ i Qeverisë së Kosovës për një parti politike”, ka thënë Kuçi.
Ai shtoi se nuk është koha e fushatës elektorale dhe se zgjedhjet nacionale ka mundësi të mos mbahen deri në vitin 2013.

“Ne marrim vota përmes partive politike, por jemi në shërbim të qytetarëve dhe kështu duhet të na shohin. Sa herë që flas për kryetarin e Komunës së Prishtinës, nuk flas për kryetarin e LDK’së. Unë e ndaj dhe e keni vërejtur ju. Edhe ata i lus që ta ndajnë. Nëse kemi gabime në veprimet tona, në autorizimet si zëvendëskryeministër, si ministër, si anëtar i Qeverisë, urdhëroni, për punë të tjera të lojërave partiake të fushatave, nuk ka zgjedhje këtë vit. Ndoshta edhe vitin tjetër do ta masim apo jo. Kështu që deri më 2013 t’i ruajmë pak energjitë për gjëra më të mira”, ka thënë ai duke vazhduar përgjigjen ndaj Mustafës.

Edhe pse ish-kreu i SHIK’ut Kadri Veseli, menjëherë pas formimit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës e ka deklaruar të përfunduar veprimtarinë e SHIK’ut, që nga ajo kohë, partitë opozitare sulmojnë Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi për vazhdimësi të lidhjeve me SHIK’un.

Përveç deklaratave në media, partitë opozitare javë më parë janë përpjekur të krijojnë një komision në Parlament që do të hetonte veprimtarinë e kësaj organizate.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›