E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga 1 janari me prokurim elektronik

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 16:48

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, në Republikën e Kosovës do të fillojë instalimi dhe funksionalizimi i prokurimit elektronik, ndërkaq do të rregullohet edhe çështja e reklamave, për të cilat do të ekzistojë një faqe zyrtare.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri Hashim Thaçi të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në të cilën është miratuar Projektligji për prokurimin publik. Me këtë ligj, kontratat mbi 10 mijë euro parashihet t’i nënshkruajnë ministrat.

Projektligji për prokurimin publik që është kërkesë edhe e raportit të progresit, sipas kryeministri Thaçi është në përputhje të plotë me kriteret e Bashkimit Evropian.

“Ky është një ligj në përputhje të plotë me kriteret e Bashkimit Evropian. Në këtë projektligj përfshihet shumë qartë se të gjitha kontratat më të mëdha se 10 mijë euro duhet të nënshkruhen nga ministrat. Jo nga zëvendësministrat, por nga ministrat".

Shpalljet qeveritare në faqe të veçantë interneti

Kryeministri Thaçi ka paralajmëruar se nga janari 2012 do të fillojë instalimi dhe funksionalizimi i prokurimit elektronik, si dhe do të rregullohet shumë qartë edhe çështja e reklamimit nga ana e institucioneve në media.

"Nuk do të lejojmë thjesht dhe shumë qartë mundësi ndikimi. Do të ketë vetëm shpallje në faqet e internetit dhe marrja e publikimit do të jetë vullnetar. Kjo faqe e internetit do të bëhet publike në të ardhmen e afërt”, është shprehur Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është që të sigurojë mënyrën efikase, transparente dhe në mënyrë të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë.

“Ky projektligj ka për qëllim të sigurojë integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publik, nëpunësve civilë dhe të personave të tjerë që kryejnë aktivitete të prokurimit publik, duke kërkuar që vendimet e individëve të tillë të kenë baza ligjore dhe faktike për vendimet që i marrin që të mos ndikohen nga interesat personale dhe të karakterizohen me jo diskriminim dhe me një shkallë të transparencës përballë qytetarëve tanë. Ky projektligj ka për qëllim të nxisë krijimin e një kulture institucionale të profesionalizuar, duke mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe paanshmërinë në punë dhe etikën e personave zyrtarë që përfshihen në këto aktivitete”, ka thënë Kuçi.

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci ka rikujtuar problematikën që ka nxjerrë ky projektligj edhe gjatë mandatit të kaluar, duke thënë se çështja e nënshkrimit të kontratave me vlerë më të madhe se 10 mijë euro është diskutuar në kuvend, por edhe me faktorët ndërkombëtarë.

Ai ka kërkuar të dijë nëse ky është një standard në shtetet e Bashkimit Evropian, apo Kosova e aplikon për herë të parë.

Ai ka bërë vërejtje edhe për çështje të tjera gjuhësore, por për këtë ka marrë përgjigje nga kryeministri Thaçi. “Defektet gjuhësore ua lëmë lektorëve, ky projektligj është i koordinuar dhe i harmonizuar plotësisht me Komisionin Evropian. Do të thotë është sipas standardeve evropiane”, ka thënë Thaçi, raporton KosovaPress.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›