Kuçi fton Mustafën të përballet në debat
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të mërkurën ka dashur ta kursejë foltoren e Qeverisë nga loja ‘ping-pong’ mes pozitës dhe opozitës, megjithatë i është përgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafa për akuzat e përditshme lidhur me ndikimin e Qeverisë dhe PDK-së përmes SHIK-ut. Kuçi ka thënë se nuk duhet që dikush ta mbulojë me mospunën e vet me akuza ndaj të tjerëve.
Për akuzat dhe për pretendimet çfarëdo qofshin ato, Kuçi ka ftuar prokurorinë dhe gjykatat, e po ashtu edhe kreun e Prishtinës, Isa Mustafa që të merren me drejtësinë e mos ta përziejnë politikën me drejtësinë. Ndërkohë pyetjen nëse Qeveria e di a ekziston SHIK-u apo jo, Kuçi e ka quajtur ‘pyetje pa objekt’.
“Unë besoj se është një pyetje pa objekt. Unë nuk e di që ka dhe nëse e di dikush që ka veprime të tilla po e ftoj në gjykatë. Por një po e them. Mos ta mbulojë dikush mospunën duke akuzuar të tjerët, por me alternativa, me punë, me përgjegjësi”, është shprehur Kuçi.
Ai nuk ka dashur ta shfrytëzojë foltoren e Qeverisë për t’u përballur me çfarëdo akuze që mund të vijë nga tabori opozitar, por ka ftuar edhe Isa Mustafën edhe secilin që është i gatshëm që të përballet në debat televiziv, në mënyrë që kjo politikë-bërje të mos vazhdojë në stilin e ‘ping-pongut’.
Si zëvendëskryeministër, ai ka thënë se është edhe i PDK-së, edhe i LDK-së edhe i gjithë qytetarëve dhe nuk dëshiron të jap sinjale nga pozita e zëvendëskryeministrit se e mbron një parti apo e atakon një tjetër.
“Jo që nuk kam përgjigje. Kam përgjigje për secilin, por nuk do të jap përgjigje nga kjo logo, nga ky “background i Qeverisë së Kosovës për një parti politike”, ka thënë Kuçi.
Me këtë rast, Kuçi i ka kujtuar Isa Mustafës dhe oponentëve të tjerë politikë se nuk është koha e fushatës dhe se zgjedhjet nacionale ka mundësi të mos mbahen deri në vitin 2013.
“Ne marrim vota përmes partive politike, por jemi në shërbim të qytetarëve dhe kështu duhet të na shohin. Sa herë që flas për kryetarin e komunës së Prishtinës, nuk flas për kryetarin e LDK-së. Unë e ndaj dhe e keni vërejtur ju. Edhe ata i lus që ta ndajnë. Nëse kemi gabime në veprimet tona në autorizimet si zëvendëskryeministër, si ministër, si anëtar i Qeverisë, urdhëroni, për punë të tjera të lojërave partiake të fushatave, nuk ka zgjedhje këtë vit. Ndoshta edhe vitin tjetër do ta masim apo jo. Kështu që deri në 2013 t’i ruajmë pak energjitë për gjëra më të mira”, ka thënë ai.
Ndërkohë, i pyetur rreth raportit të Freedom House dhe atij të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët kanë përçuar shumë vërejtje, Kuçi ka thënë se këto janë një sfidë e re që e orientojnë Qeverinë e Kosovës që të punojë më shumë dhe sipas tij, Qeveria nuk funksionon me logjikën e refuzimit të raporteve, por me analizimin e tyre, gjetjen e pikave kritikuese dhe ushtrimin e kompetencave për përmirësimin e gjendjes. /kosovapress/