Veç 1.7
Kosova nuk ka as dy milionë banorë. Kështu thonë rezultatet e dala nga regjistrimi i popullsisë i bërë dy muaj më parë. Sipas të dhënave preliminare të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), numri i banorëve të Kosovës është 1 milion e 733 mijë e 872 persona. Kjo shifër, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, nuk përfshin komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesën veriore të Mitrovicës.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë përfshijnë 34 komuna të Kosovës, në të cilat për dy javë, gjatë muajit prill, është kryer kjo procedurë. Ndërkohë, në komunat veriore të vendit, nuk ka pasur bashkëpunim për këtë proces. Këto janë vetëm shifra të përgjithshme, kurse të dhënat për numrin e banorëve në bazë të nacionalitetit, do të bëhen publike pas analizave që do të bëhen në të ardhmen. Sipas të dhënave, vetëm në Prishtinë, numri i banorëve arrin shifrën e 198 mijë e 214 banorëve.
Megjithatë, këto janë rezultate paraprake. Kjo pasi drejtues të Entit të Statistikave thonë se rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura tek në vitin 2013.
Drejtuesit e ESK-së zgjodhën që rezultatet t’i bëjnë publike në konferencë për media, e cila u mbajt të mërkurën në Prishtinë. Isa Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i ESK-së, bëri publike rezultatin e të gjitha komunave, ku është bërë regjistrimi i popullsisë. “Totali është 1 milionë e 733 mijë e 872 banorë, që i përfshin të dhënat e 34 komunave”, tha ai. Sipas tij, për shkak të arsyeve objektive, regjistrimi nuk ka qenë i mundur të kryhet edhe në komunat veriore të vendit. “Prandaj, vlerësimet për këto komuna do të publikohen më vonë”, ka pohuar ai.
Por për Kjartan Bjornson, shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, përjashtimi i komunave veriore nga ky proces nuk do të ndikojë në legjitimitetin e rezultatit. Sipas tij, përjashtimi i pjesës veriore nuk do të ketë ndikim negativ në legjitimitetin dhe validitetin e regjistrimit të popullsisë në përgjithësi në Kosovë.
“I kam thënë edhe ESK-së, se në vetvete përjashtimi i komunave të Veriut nuk do të ketë ndikim në njohjen e përgjithshme të rezultatit të mbajtur në tërë Kosovën”, sqaron Bjornson.
Kurse për çështjet e tjera teknike dhe qëllimet e procesit të regjistrimit, foli Rifat Blaku, kryetari i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë. Sipas tij, gjatë këtij procesi, janë zbatuar të gjitha rekomandimet e EUROSTAT-it dhe parimet fundamentale të Kombeve të Bashkuara në fushën e statistikave.
“Qëllimi kryesor i këtij regjistrimi të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave ka qenë prodhimi i të dhënave statistikore, të cilat do të nxirren në tërësi dhe pastaj të krijohet sfondi i popullsisë, ndërtesave dhe banesave”, vlerëson Blaku, për të cilin regjistrimi i popullsisë është baza për krijimin e një kujtese kolektive, që dokumenton evolucionin demografik, social dhe ekonomik të një vendi.
Popullsia 1981
Popullsia në Kosovë për herë të fundit është regjistruar në vitin 1981. Numri i përgjithshëm i banorëve atë kohë ishte 1 milion e 584 mije 440, prej të cilëve, 1.226.736 shqiptarë, 209.798 serbë, 34.126 romë, 12.513 turq dhe 101.267 të kombësive të tjera.
Popullsia 2011
Nga totali prej 1 milion e 733 mijë e 872 banorëve, 873 mijë e 598 janë meshkuj, kurse 860 mijë e 274 femra. Pra, ka 13.324 meshkuj më shumë se femra.
Popullsia nëpër komuna
Deçan- 38 mijë e 984
Dragash- 33mijë e 584
Ferizaj- 108 mijë e 690
Fushë-Kosovë- 34 mijë e 718
Gjakovë- 94 mijë e 158
Gjilan- 90 mijë e 015
Gllogofc- 58 mijë e 579
Graçanicë- 11 mijë e 006
Han i Elezit- 9 mijë e 389
Istog- 39 mijë e 294
Junik- 6 mijë e 078
Kaçanik- 33 mijë e 454
Kamenicë- 35 mijë e 600
Klinë- 37 mijë e 585
Kllokot- 2 mijë e 551
Lipjan- 57 mijë e 474
Malishevë- 54 mijë e 664
Mamushë- 5 mijë e 513
Mitrovicë- 71 mijë e 601
Novobërdë - 6 mijë e 720
Obiliq- 21 mijë e 548
Partesh- 1 mijë e 787
Pejë- 95 mijë e 723
Podujevë- 87 mijë e 933
Prishtinë- 198 mijë e 214
Prizren- 178 mijë e 112
Rahovec- 55 mijë e 053
Ranillug- 3 mijë e 785
Shtërpcë- 6 mijë e 913
Shtime- 27 mijë e 288
Skenderaj- 51 mijë e 317
Suharekë- 59 mijë e 702
Viti- 46 mijë e 959
Vushtrri- 69 mijë e 881