Sërish radhë të gjata në Kakavijë, shkak sistemi i kontrollit
identifikohen personat e kërkuar nga Policia Shqiptare dhe ata që kanë probleme me drejtësinë tonë. Mirëpo kjo nuk i ka qetësuar emigrantët e ardhur me rastin e Pashkës Ortodokse, që të lëshojnë një lumë akuzash dhe zemëratash ndaj kontrollorëve të pasaportave në pjesën shqiptare të Kakavijes. Mjaft emigrantë, shprehin keqardhjen për situatën e krijuar ditën e sotme në Kakavije për atë që ata e kanë quajtur një torturë të vërtetë duke qëndruar për orë të tëra në radhë në pritje për të kaluar në territorin shqiptar. Radhët kanë qenë të dukshme qysh në orët e para të së premtes kryesisht në pjesën shqiptare pasi autoritetet policore kontrollojnë me përpikëri cdo dokument në sistemin kompjuterik. Megjithëse janë vënë në eficensë tetë sportele në hyrje të territorit shqiptar në shërbim të shtetasve të ardhur, kjo nuk ka mjaftuar për të çliruar aortën në Kakavijë. Mjaft lëvizje janë konstatuar edhe në hyre të territorit grek ku tre sportelet e vëna në dispozicion, nuk kanë qenë mjaft efikase por kapaciteti rikuperues kaq mjafton. Ndërkohë pala greke ka punuar sot me tre sportele në dalje të territorit të tyre dhe dy në hyrje. Pritja në territorin grek nuk ka zgjatur më tepër se 30 minuta pasi autoritetet helene vendosnin vetëm vula në pasaportat e emigrantëve duke shmangur në këtë mënyrë aplikimin e sistemit TIMS si të panevojshëm në kushtet e daljes së personave nga Greqia. Burimet zyrtare nga Kakavija, kanë pohuar se deri në orën 13:00 të ditës së sotme, kanë ardhur përmes Kakavijes rreth 6000 persona si dhe 2200 automjete. Fluksi i emigrantëve që pritet të vijnë me rastin e Pashkës Ortodokse, mund të rritet sidomos ditën e nesërme, ndërkohë që radhët në ikje të tyre nuk do të mungojnë dhe kjo mendohet të ndodhë në ditët e para të javës që vjen. Radhët do të jenë të përqendruara në territorin grek pasi autoritetet helene, do të aplikojnë sistemin TIMS në hyrje të territorit të tyre si dhe një regjim të fortë kontrolli në automjete dhe dokumente për të shmangur në këtë mënyrë personat problematikë apo ngarkesa të dyshimta në bordet e automjeteve apo të autobusëve.
T. Hoxha