Sërish skandal

SHBA, sms-të erotike fusin në kurth kryebashkiakun e Detroitit
Pas rrjetit të prostitutave të guvernatorit të Nju Jorkut dhe tradhtisë bashkëshortore të pasardhësit të tij, një tjetër politikan amerikan është përfshirë në një skandal seksual. Kryebashkiaku i Detroitit, Kwame Kilpatrick, ka përfunduar në faqet e para të gazetave, pasi i kishte dërguar mesazhe (me celular) erotike të dashurës së tij, ish-shefes së stafit, Christine Beatty. Që të dy tani ndodhen nën proces për dëshmi të rreme, pasi çifti pati mohuar nën betim marrëdhënien. Ajo që nxori në shesh çiftin klandestin, ishte gazeta e qytetit, e cila publikoi tekstin e një serie sms-sh “të zjarrta” që dy dashnorët kishin shkëmbyer me njëri-tjetrin. Sipas të përditshmes, mes viteve 2002-03, çifti, që të dy të martuar me persona të tjerë, ka shkëmbyer 14 mijë mesazhe. Të thirrur pak kohë më parë në proces nga dy policë, ata e mohuan marrëdhënien nën betim. Dy policët në fjalë hodhën në gjyq bashkinë, pasi kryebashkiaku i kishte përdorur për të mbrojtur marrëdhënien e tij të fshehtë dhe më pas i pushoi nga puna, pasi nuk i leverdiste dëshmia e tyre. Kështu, një histori banale dashurie mori përmasat e një skandali qytetar me pushime nga puna, hakmarrje e kërcënime. Një ditë më parë, prokurorja Kym Worthy njoftoi padinë ndaj kryebashkiakut dhe ish-bashkëpunëtores së tij, duke konfirmuar se që të dy kishin shkelur ligjin, duke dhënë dëshmi të rremë nën betim. Ajo arriti në këtë konkluzion, pasi ekzaminoi mbi 40 mijë dokumente, përfshirë këtu mijëra mesazhet telefonike që kryebashkiaku shkëmbente me asistenten e tij, të cilat vërtetojnë pa asnjë dyshim natyrën seksuale të marrëdhënies së tyre. “Ky nuk është një hetim mbi disa gënjeshtra të një historie seksi, por për faktin se karriera, jeta dhe burimet financiare të disa punonjësve që donin të bënin thjesht punën e tyre, u shkatërruan dhe se paratë e taksapaguesve shkuan për shpenzime personale”, - tha Worthy. I zgjedhur kryetar i bashkisë në vitin 2001, vetëm 31 vjeç, pasi mundi një kandidat sa dyfishi i moshës së tij, Kilpatrick i kërkoi falje gruas, fëmijëve dhe qytetarëve, por tha se dëshiron të mbajë postin, duke akuzuar median për ngritje akuzash të pabaza me një motivim të vetëm: racizëm kundër një kryebashkiaku me ngjyrë. Tani, siç mund të merret me mend, karriera e tij politike është shkatërruar dhe më e pakta e presin 15 vjet burg.