E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistet nuk heqin dore

Valentina Leskaj

Berisha të japë dorëheqjen, të dorëzojë imunitetin dhe të vihet përpara organeve të hetimit

Partia Socialiste u shpreh dje e palëkundur për të zbardhur të vërtetat dhe për të vënë përpara përgjegjësisë shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kërkoi që Kuvendi të mos vijojë punën sikurse situata të ishte normale, në një kohë që nuk është e tillë. “Parlamenti nuk mund të futet në një rrugë rutinore, pa dhënë të gjithë shpjegimet, pa gjetur të gjithë shkaqet e Gërdecit dhe zgjidhje për këtë çështje. Në konferencën e kryetarëve kam kërkuar nga kryetarja e Parlamentit, Topalli, që seanca sotme të mos futet në një seancë të zakonshme rutinë, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Për shkak se ne si opozitë, ashtu si edhe në konferencën e kryetarëve dhe të gjitha ditët e mëparshme dhe në të gjithë deklarimet kemi kërkuar që kryeministri i vendit të vijë në Parlament, të japë shpjegime për situatën e Gërdecit”, - theksoi liderja e socialistëve në Kuvend. Ajo shtoi se situata nuk mund të kalojë me një raportim të vetëm që ka bërë kryeministri, por vetë me zbardhjen e gjithë së vërtetës për ngjarjen e Gërdecit. Valentina Leskaj theksoi se opozita do të jetë në sallën e Kuvendit për të kërkuar shpjegime nga kreu i ekzekutivit. “I kam kërkuar kryetares që të mos provokojë opozitën, duke anashkaluar raportimin e kryeministrit në Parlament, raportim i cili lidhet me të gjithë situatën në Gërdec që nga jetët e njerëzve që vazhdojnë të humbasin dhe siç e dini, dje janë bërë 24 dhe nuk dihet akoma e ardhmja e atyre që ndodhen në spitale jashtë vendit. Ne si opozitë do të jemi në Parlament! Do të jemi në Parlament për të kërkuar nga kryeministri i vendit të vijë të japë të gjithë shpjegimet lidhur me këtë çështje, të japë dorëheqjen si kryeministër, të dorëzojë imunitetit, të vihet përpara organeve të hetimit. Për këtë do të jemi në Parlament dhe Parlamenti nuk mund të futet në rutinë në këto kushte”, - sqaroi kreu i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare. Leskaj nënvizoi se sqarime duhet të jepet jo vetëm për humbjet materiale, por edhe për mungesat në ilaçe dhe veshmbathje, që banorët e Gërdecit kanë edhe në zonën rezidenciale të Durrësit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›