E Shtunë, 31 Tetor 2026

I papranueshëm

Hashim Thaçi

Thaçi e Sejdiu hedhin poshtë propozimin e Beogradit për ndarjen e Kosovës në baza etnike

“Kosova është e pavarur dhe asnjë propozim eventual për ndarjen e saj nga Beogradi nuk është i pranueshëm për institucionet e Kosovës”. Me këtë qëndrim dolën dje krerët e institucioneve të Republikës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, duke komentuar planin e ministrit serb Slobodan Samarxhiç, për ndarje në baza etnike të Kosovës. Sejdiu dhe Thaçi hodhën poshtë çdo lloj plani për ndarje të Kosovës. Duke komentuar dokumentin e ministrit për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Slobodan Samarxhiç, ata thanë se çfarëdo ideje apo plani i tillë është i papranueshëm për shtetin e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se ky dokument madje as nuk ka qenë temë diskutimi në komunikimin me UNMIK-un, pasi sipas tij, plani nuk iu është adresuar institucioneve të Kosovës. “Kurdo që dikush mund ta nxjerrë si ide ndarjen, ne nuk kemi përgjigje tjetër. Kosovën e trajtojmë integrale. Ka vështirësi në pjesën veriore, që janë të mëhershme, por do të investojmë me UNMIK-un dhe EULEX-in, si dhe me NATO-n për të mbajtur sigurinë që është edhe në interes të rajonit. Ne do të jemi partnerë të mirë të bashkëpunimit për funksionalizimin e plotë të Kosovës në të gjitha poret e saj”, tha Sejdiu. Kryeministri Hashim Thaçi ishte edhe më i prerë. “Në Beograd mund të hartohen çfarëdolloj planesh e çfarëdolloj idesh, të këqija dhe më të këqija për Kosovën, por ato janë të papranueshme për institucionet e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri. “Kosova ka institucionet e veta legjitime, me autoritet të plotë në gjithë territorin e saj. Gjithashtu ka bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare dhe me NATO-n, prandaj propozimet e Beogradit për Kosovën janë të papranueshme, të refuzueshme dhe të paimplementueshme në Kosovë”, vazhdoi Thaçi. Kryeministri kosovar, madje porositi mediat në Kosovë që të mos u kushtojnë shumë vëmendje planeve të tilla. Ai përsëriti se Kosova është vendi më i sigurt dhe më i mbrojtur në rajon si shtet dhe se territori i saj është i pacenueshëm dhe unik.

Rosin: Presim përgjigje nga Nju Jorku

Nju Jorku do t’i përgjigjet shumë shpejt propozimit që ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, i dorëzoi pak ditë më parë UNMIK-ut. Ishte ky reagimi zyrtar i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, lidhur me planin e Beogradit për ndarjen e Kosovës në baza etnike. Zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Larry Rosin, tha dje, se UNMIK-u ende nuk ka marrë përgjigje nga Nju Jorku lidhur me planin e Serbisë për Kosovën. Rosin thotë se shumë pika të këtij plani nuk përputhen me mandatin e UNMIK-ut në Kosovë. Numri dy i UNMIK-ut konfirmoi sot se letra po diskutohet në Nju Jork, por deri tani nuk është kthyer ndonjë përgjigje. Ai po ashtu bëri të ditur se shumë pjesë të kësaj letre nuk janë në përputhje me rezolutën 1244, mbi bazën e së cilës vepron misioni i UNMIK-ut në Kosovë. “Plani mund të jetë bazë për disa diskutime me Beogradin, por shumë pjesë të tij nuk janë në përputhje me mandatin tonë”, pohoi Rosin. Po kështu, në një intervistë për radion “KiM”, në Çagllavicë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandar Ivanko, tha se është familjarizuar me dokumentin që Samarxhiç i dorëzoi zëvendëskreut të UNMIK-it, Larry Rosin, dhe se disa pjesë të këtij propozimi bien ndesh me mandatin e misionit të OKB-së në Kosovë. Ai shpjegoi se në propozimin e Serbisë nuk ndodhet asnjë fjali lidhur me rikthimin e forcave serbe në Kosovë, duke hedhur kështu poshtë lajmet në të përditshmet serbe lidhur me këtë fakt. “E vetmja mënyrë për të arritur pajtimin është përmes dialogut, e jo duke gjetur mënyra për të ndarë komunitetet në Kosovë”, - tha zyrtari i UNMIK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›