E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesi në pranverë

Qeveria e Kosovës pret që sivjet në pranverë ta ketë në duar udhërrëfyesin zyrtar të Komisionit Evropian, i cili do të shënonte hapin e parë konkret, drejt procesit të liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të Schengenit.

Nga e mërkura deri të premten, këtë javë, në Kosovë kanë qëndruar ekspertë të Komisionit Evropian nga Drejtoria për Zgjerim, nga ajo për Punë të Brendshme dhe Drejtoria për Drejtësi. Ata për tri ditë rresht i kanë “djersitur” zyrtarët e lartë kosovarë, duke i marrë në pyetje për hapat konkretë që ata po bëjnë për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha të shtunën për Express se takimi treditor u ka shërbyer ekspertëve të Komisionit Evropian për të krijuar një pasqyrë reale për zhvillimet në Kosovë.

“Komisioni Evropian tani do të hartojë udhërrëfyesin, duke u bazuar në të gjeturat e këtij takimi. Pra, menjëherë pas draftimit të konkluzioneve të këtij takimi do të fillojë me draftimin e udhërrëfyesit zyrtar, të cilin ne presim ta pranojmë në pranverë”, tha Rexhepi.

Zyrtarët e Komisionit Evropian gjatë qëndrimit treditor në Kosovë, po ashtu kanë përcjellë ftesën që komisioneri për Zgjerim dhe ai për Punë të Brendshme i Komisionit Evropian i kanë bërë ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti, që në muajin mars të vizitojë Brukselin dhe të raportojë për të arriturat që pritet të shënohen gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Në atë takim, ministrit Pajaziti do t’i prezantohet harta e rrugës, me të cilën Komisioni Evropian po synon që të dialogojë me Kosovën për futjen në listën e bardhë të Schengenit”, tha Rexhepi.
Intensifikimi i marrëdhënieve me Komisionin Evropian, sugjerimet e ekspertëve të tyre shtyjnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të besojnë se brenda vitit 2010 do t’i plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave.

Megjithatë deri në jetësimin e liberalizimit të vizave për kosovarët, shteti i ri duhet të plotësojë një varg kriteresh, jo edhe aq të lehta.
Pika kryesore që aktualisht Komisioni Evropian i ka sugjeruar qeverisë kosovare ta përmbushë është riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët para dhe gjatë luftës së fundit kanë migruar në shtete të ndryshme, por që nuk kanë lejeqëndrim të përhershëm.

Qeveria e Kosovës është duke u përpjekur ta bëjë riatdhesimin e kosovarëve nëpërmjet disa marrëveshjeve që i ka nënshkruar me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Por, ekspertë të Komisionit Evropian kanë kërkuar këtë javë nga ekzekutivi kosovar që për riatdhesimin e qytetarëve të miratohet ligj i veçantë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rexhepi tha se MPB’ja ka reaguar menjëherë, duke bërë një koncept i cili do të shndërrohet në projektligj për riatdhesim.

“Ky projektligj është duke u hartuar në bashkëpunim me ekspertë të Komisionit Evropian. Ne presim që në muajin mars, këtë projektligj ta procedojmë për miratim në Qeveri dhe pastaj për në Kuvend. Ky do të jetë hapi, ndër më të rëndësishmit dhe më kryesorët, në procesin e liberalizimit të vizave”, tha ai.
Sipas Rexhepit, riatdhesimi i kosovarëve që nuk kanë status të zgjidhur në shtetet e BE’së ka filluar edhe më herët në bazë të marrëveshjeve dhe mesatarisht brenda një viti duhet të riatdhesohen 4 mijë qytetarë kosovarë.

“Ne besojmë që menaxhimi me sukses i këtij procesi të riatdhesimi do ta përshpejtojë jashtëzakonisht shumë liberalizimin e vizave dhe përfarimin e Kosovës me BE’në”, Rexhepi për gazetën.

Sipas burimeve të gazetës, brenda takimit treditor që është mbajtur në Prishtinë, ekspertët e Komisionit Evropian kanë pyetur përgjegjësit e Policisë së Kosovës për planet e tyre tremujore për luftimin e krimit të organizuar, i kanë pyetur përgjegjësit e doganave për parandalimin e kontrabandës, e kështu me radhë përgjegjësit e të gjithë sektorëve.

Përgjegjësit e institucioneve kosovare të Policisë, Doganave.... është dashur t’i paraqesin planet e tyre konkrete të cilat do të realizohen deri në pranverë, në mënyrë që Komisioni Evropian ta ketë një pasqyrë të punëve të premtuara për ta përcjellë implementimin e planeve të premtuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›