E Diel, 1 Nëntor 2026

Serwer: Serbia jo në BE pa njohur Kosovën

Uashington -Analisti i njohur i çështjeve ballkanike nga Instituti Amerikan i Paqes, Daniel Serwer ka vlerësuar se Brukseli duhet t’i bëjë të qartë Serbisë se nuk ka integrim të saj në Bashkimin Evropian pa e njohur sovranitetin e Kosovës. Serwer ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të veprojnë me më shumë vendosmëri dhe qartësi ndaj çështjes së Kosovës.

“Për mendimin tim BE-ja duhet të shprehet më qartë, se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, në qoftë se në një farë forme, nuk e pranon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Fakti që 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të shërbejë si shembull për të kuptuar se mjafton një prej tyre që të ushtrojë pushtetin e vetos për të bllokuar pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”-deklaroi analisti amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës, për të shtuar se, “Ky është në fakt realiteti në terren”.
Server shprehet se “Shqiptarët kanë qenë për një kohë të gjatë nën tutelën ndërkombëtare dhe nuk kanë patur shumë mundësi që të bëjnë gabimet e tyre. Të gjithë bëjmë gabime, por ne mësojmë prej tyre. Ndërkombëtarët duhet disi të tërhiqen, gjë që megjithëse nuk do ta përmirësonte menjëherë gjendjen, do t’u jepte rastin shqiptarëve të bënin gabimet e tyre dhe të fillonin të mësonin se kur bën gabime nuk rizgjidhesh. Ky është një mësim i rëndësishëm”.

Pyetjes se “SHBA-të kanë thënë se EULEX-i është një autoritet që shtrihet në gjithë Kosovën, ndërsa ju thoni se pjesa veriore e Kosovës qeveriset nga Beogradi dhe se de fakto ajo është e shkëputur nga Kosova. Ku e mbështesni këtë?”, Server ju përgjigj se “ Besoj se kështu është. Ky është një përshkrim i saktë i situatës. Vetë EULEX-i vështirë se po funksionon në këtë fazë. Ka patur shpresa të mëdha për EULEX-in, por të pretendosh se ai e ka marrë situatën në dorë me autoritet të plotë, duke zëvendësuar autoritetin e Beogradit në veri, nuk e ndihmon zgjidhjen e gjendjes. Pa tjetër që EULEX-i duhet të ketë autoritetin e tij në të gjithë Kosovën, gjë që sot nuk e ka dhe Beogradi për momentin është duke e kundërshtuar atë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›