Serzh Bramerc në Beograd, kurse Mlladiç ende në pyll!

Mikpritësit, zyrtarët e lartë serbë; kryetari i Këshillit Kombëtar për Bashkëpunimin me Hagën, Rasim Lajiç; prokurori për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç dhe së fundi Presidenti Boris Tadiç e Kryeministri Mirko Cvetkoviç, me të cilët Bramerci do të takohet gjatë vizitës së tij, me siguri do të përpiqen t’i mbushin atij mendjen se ata po bëjnë gjithçka për kapjen e dy kriminelëve famëkeq të luftës, me qëllim që Brukseli të zhbllokojë rrugën e Serbisë drejt BE-së, pra të nisë procedura e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) dhe zbatimi i Marrëveshjes Kalimtare, veçse duart i kanë bosh, pasi të dy ata (Mlladiçi dhe Haxhiçi) ndodhen ende në pyll.
Bramerc, në fund të këtij muaji, do të bëjë një raport vlerësues, të cilin nga mesi i dhjetorit do ta paraqesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për ecurinë e bashkëpunimit të Gjykatës së Hagës me Serbinë.
Para se të mbërrinte në Beograd, Kryeprokurori Bramerc vuri në dukje se është i bindur që Beogradi do të marrë të gjitha masat që edhe kriminelet e arratisur të luftës, të cilët kanë mbetur ende pa u kapur, do të nxirren së shpejti para drejtësisë në Hagë.
Edhe nga gojët e zyrtarëve të lartë serbë dëgjohen premtime dhe përbetime se Mlladiçi dhe Haxhiçi do të jenë së shpejti në Hagë.
Por, megjithatë, të dy kriminelët famëkeq serbë të luftës, fajtorë të drejtpërdrejtë për vrasjen e mijëra boshnjakëve myslimanë gjatë luftës (1992-1996), vazhdojnë të jenë të lirë, të mbrojtur, sikurse thuhet, nga dhjetëra truproja të përgatitura, shumica ish-pjesëtarë të ushtrisë jugosllave.
Pavarësisht nga deklaratat inkurajuese në Beograd, Bramerc përdori një gjuhë më të drejtpërdrejtë gjatë vizitave të tij të mëparshme në Kroaci dhe Bonjë e Hercegovinë, ku deklaroi se “kapja e Mlladiçit dhe e Haxhiçit është prioritet për Hagën, pasi nuk mund të vihet në pikëpyetje kredibiliteti i drejtësisë ndërkombëtare”.
Sikurse dihet, ditët e fundit u ndërmor një operacion i forcave policore speciale serbe në kërkim të Ratko Mlladiçit në territorin e fabrikës që prodhon dyer e xhama “Vujiç-Valjevo”, pranë Valjevos, por edhe ky operacion i radhës dështoi, pasi, sikurse thuhet, ai (Mlladiçi) ishte njoftuar paraprakisht dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Madje edhe në vetë median serbe ky operacion kërkimi i radhës u vu në lojë, pasi ai, sipas saj, i ngjante më shumë një shfaqjeje të tipit “Reality show”, pasi i vetmi rezultat “i rëndësishëm” që ai arriti ishte transmetimi i tij i drejtpërdrejtë në një kanal televiziv vendas.