E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seseri "i nxjerr bojën" PS-së, në Kuvend vetem për rrogen

Pas zgjedhjeve ven dore Partia Social iste mori vendimin që të mos jetë pjesë e punimeve të Kuvendit. Por urdhri i kryesocialistit, Edi Rama nuk ka qenë i vlefshëm për të gjithë. Deputetja Rudina Seseri ishte e vetmja socialiste që theu urdhrin e kryetari të partisë për bojkotin. Në fakt, rekordi nuk ka të bëjë me prezencën në Parlament, po me arsyen e kësaj prezence. Me shtypjen e butonit të kësaj seance, deputetja socialiste e qarkut të Durrësit shpëtoi mandatin e saj pasi mungoi në Kuvend prej gjashtë muajsh. Dita e djeshme përbënte afatin e fundit, ku ajo mund të mbante mandatin e deputetes të marrë dy vite më parë në qarkun e Durrësit. Por me shtypjen e butonit ajo ka marrë edhe pagën e deputetes, ndoshta jo të plotë, për shkak të mungesave të gjata. Sipas llogaritjeve ajo përfiton plot 2.6 milionë lekë, duke mos pasur asnjë kontribut të dhënë për institucionin për të cilin është zgjedhur nga votuesit e saj. Por ky qëndrim i deputetes së PS-së devijon dhe politikën e ndjekur deri më sot nga selia rozë, ku drejtuesit e partisë kanë mbajtur qëndrime radikale për pjesëmarrjen në seanca. Marrja pjesë në seanca për mandatin dhe rrogën i heq dhe motivet parimore strategjisë së opozitës për marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste thanë se deputetja Rudina Seseri, as që ka jetuar këto kohë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, ajo arriti të shpëtojë rrogën dhe mandatin e deputetes. Ligjvënësja Seseri deklaron se është ekonomiste me profesion, por ndoshta askush nuk e dinte se ajo mund të fitonte kaq shumë para vetëm me një të shtypur butoni, një herë në gjashtë muaj. Në këtë mënyrë, Seseri mban dhe rekordin e mungesës në seancat e Kuvendit, për të mos përmendur faktin se pjesë e funksionit të Kuvendit është dhe pjesëmarrja në komisionet parlamentare. Sipas Kushtetutës së Republikës, nëse një deputet mungon për gjashtë muaj, atij humbet automatikisht mandatin. Deputetja Seseri, nëse nuk do të ishte dje pjesë e punimeve të Kuvendit, do të humbiste mandatin e saj. Ajo është ulur në fund të sallës së seancave. Ndërkohë që prania e saj është njoftuar nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, e cila i ka uruar asaj dhe mirëseardhjen. Seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar shënoi dhe një rekord të ri në jetën e Kuvendit të dalë nga vota e 28 qershorit të viti 2009. Pavarësisht qëndrimeve të ashpra politike, deputetja Rudina Seseri dha dje një sinjal të qartë për sjelljen politike të opozitës. Edhe pse drejtues të PS-së kanë shprehur rezerva për Kuvendin, në momentin që rrezikohen mandatet, ashtu si pas bojkotit të vitit 2009, socialistët kanë treguar se nuk duan t'i humbasin privilegjet e të qenit ligjvënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›