E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seseri letër Ramës e Topallit: Lë mandatin e deputetes

TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste Rudina Seseri nëpërmjet një letre i paraqet dorëheqjen nga posti i deputetes, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreut të PS-së Edi Rama ,për arsye personale sic shpjegon ajo.

“Nëpërmjet kësaj letre më duhet t'ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të permbush pergjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Shkëputja ime është efektive menjëherë dhe, në përputhje me ligjet në fuqi, mandati im i kalon kandidatit vijues të listës zgjedhore së Partisë Socialiste për Qarkun Durrës”, thuhet në letrën që Seseri i ka drejtuar Topallit.

Ajo i ka dërguar letër edhe liderit të PS-së Edi Rama ku pasi i shpjegon angazhimet që se lejojnë më të kryejë këtë funksion, e falenderon edhe për mundësinë e përfshirjes në politikën shqiptare.

“Dëshiroj t'ju shpreh falenderimet e mia për mundësinë e rrallë që më ofruat për tu përfshirë në jetën politike në Shqipëri dhe për vlerësimin që keni treguar në vazhdimësi. Ky angazhim qe një eksperiencë unike për të kontribuar, së cilës i jam përgjigjur me kontributin tim të gjithëkohshëm dhe të gjithëanshëm. Mbi të gjitha, ju falenderoj që më rilidhët nga afër me bashkëqytetarët e mi, sidomos me popullin e Krujës, ndaj të cilit mbetem mirënjohëse dhe krenare. Lejomëni, gjithashtu, t’ju siguroj për mbështetjen time të palëkundur përmes ekspertizës time profesionale në sfidën madhore të rimëkëmbjes së Shqipërisë”, shkuan Seseri për Ramën.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›