PS: Të përjashtohet Islami, Rudina Seseri të dorëzojë mandatin
Tirane – Zhvillime të papritura në gjirin e Partisë Socialiste. Mësohet se në mbledhjen e të premtes, në kryesinë e re të Partisë Socialiste, të jetë diskutuar edhe qëndrimi ndaj dy deputetëve të kësaj partie, Kastriot Islami dhe Rudina Seseri.
Mbledhjes së ardhëshme të grupit parlamentar të kësaj partie do ti propozohet përjashtimi i Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe çregjistrimi i Rudina Seserit si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, pasi prej muajsh është larguar nga vendi për tu rikthyer në Shtete e Bashkuara, ku jetonte edhe para se të merrte mandatin e deputetit. Kërkesat do ti paraqiten kryesisë së kuvendit.
Vendimi për shkarkimin e Islamit nga grupi parlamentar i opozitës merret si pasojë e qëndrimeve të tij publike, ndesh me politikën zyrtare të Partisë Socialiste dhe shpesh kundër qëndrimeve të saj kolektive. Islami njihet prej vitesh si kundërshtar i ashpër i Ramës në Partinë Socialiste dhe qëndrimet e tij si në parlament ashtu edhe në publik e media, kanë qenë vazhdimisht në kundërshtim me qëndrimin kolektiv të kësaj partie dhe posacërisht kryetarit Edi Rama.
Ndërkohë që Seseri, një nga prurjet e reja socialiste, e cila u trumpetua me bujë si imazhi i ri socialist, duket të jetë penduar e zhgënjyer në Shqipëri dhe në pamundësi për të infuencuar në jetën politike shqiptare apo edhe brenda partisë të cilës iu përgjigj, ka rizgjedhur largimin në heshtje drejt botës së madhe të Amerikës. Me largimin e Seserit një tjetër kandidat i listës socialiste në Durrës do të futet në parlament.
No related posts.