Sesilia Plasari, rikthehet pas 20 vitesh me rolin e një vejushe
Një vejushë që ka pasur në jetë shumë fatkeqësi, ka varrosur fëmijët dhe “damllosur burrin” në fshatin irlandez ku ndodhin ngjarjet e kësaj pjese, dhe ku aktores i duhet të luajnë femrën me një status të dyfishtë, prej krimineleje dhe heroine. I tremben, e përbuzin, e nderojnë, por asnjë nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj saj. Aktorja që mbahet mend për rolin e Almës në filmin artistik “Dhe ashtu dhe kështu”, aktualisht jeton në Paris, dhe roli i vejushës në shfaqjen “Playboy i trojeve tona”, që pritet të shfaqet në 11 mars në Teatrin e Metropolit, do të jetë i pari pas 20 vitesh mungesë në skenën shqiptare. Sesilia është e vetmja aktore, që luan një personazh të moshës së saj në këtë pjesë të përkthyer nga vetë ajo, dhe që vihet në skenë nga regjisori Kiço Londo. Stafi i aktorëve përbëhet nga të rinj, pasi vetë Teatri i Metropolit është krijuar për t’u dhënë mundësi të rinjve të ngjiten në skenë. Për Sesilian ky është roli i parë pas largimit nga Shqipëria, por jo projekti i parë. Si fillim ajo bashkëpunoi me teatrin e Korçës “Andon Zako çajupi”, si regjisore e komedisë franceze “Nina”. Pas vënies në skenë të kësaj komedie regjisori Kiço Londo, pasi mori në dorë përkthimin nga Sesilia të pjesës irlandeze të Syngut, i propozoi të luante njërin nga rolet. Aktorja që prej vitit 1991, kur u largua nuk kishte punuar më asnjëherë në Shqipëri, edhe pse udhëtonte çdo vit për të takuar familjen. Viti 2009 e solli për herë të parë për arsye profesionale. E filloi duke përkthyer në shqip me kërkesë të Teatrit të Metropolit librin “Hapësira boshe” të regjisorit, Piter Brook. Më pas u angazhua si pedagoge për vënien në skenë të një shfaqjeje me studentët e vitit të tretë të degës së teatrit në Akademinë e Arteve. Edhe kësaj here vuri në skenë një vepër që e kishte përkthyer vetë. U kthye dy muaj në Paris, duke përkthyer nga anglo-irlandishtja përsëri me kërkesë të Teatrit të Metropolit, një vepër tepër të vështirë, të autorit John Milington Synge me titull “The Playboy of The ëestern ëorld”, shfaqja për të cilën folëm më sipër. Po cila është jeta e saj artistike në Paris?! Angazhimet e Sesilias janë në teatrin publik, në teatrin privat, me regjisorë nga më të thjeshtët që sapo kanë mbaruar studimet e deri tek mitet botërore si; Armand Gatti apo Bernard Muart. Ajo ka një përvojë 7 vjeçare si asistente dhe aktore e këtij mjeshtri të madh, që punon me aktorë të mëdhenj si; Zhan-Pol Belmondo, Alen Delon, etj. Përsa i përket jetës private, Sesilia është e martuar prej 15 vitesh me një producent filmash, që quhet Kristian.