Zëdhënëses së Berishës, Juela Meçanit i vjedhin çantën
Hajdutët e rrugës, ata që vjedhin kryesisht çantat e grave teksa kalojnë nëpër rrugica, këtë herë nuk kanë kursyer as zëdhënësen e kryeministrit Sali Berisha. Zëri i Qeverisë, Juela Meçani, është sulmuar ditën e hënë nga persona të panjohur, të cilët nuk kanë ngurruar që t’i rrëmbejnë me forcë çantën e krahut dhe të largohen, pa u diktuar nga askush. Hajdutët këtë herë kanë rrezikuar shumë, me apo pa vetëdije, duke e dituar apo jo, se preha e tyre e rradhës ishte pikërisht Juela Meçani, një ish-miss që prej më shumë se një viti del përpara medias, jo thjesht siç dilte dikur nëpër emisione të ndryshme televizive, por duke komunikuar për gazetarët çdo të re të Këshillit të Ministrave. Burime të rezervuara nga Policia e Tiranës, thanë se zëdhënësja e Berishës, ditën e hënë, më 1 mars, është paraqitur në Komisariatin nr.1, për të kallëzuar se i kanë vjedhur çantën teksa ecte në rrugë. E në fakt sipas burimeve, hajdutët nuk janë ndarë keq pas vjedhjes së asaj çante, sepse Juela sapo kishte marrë rrogën. Por le të themi se atyre parave të vjedhura, personat tashmë të kallëzuar, nuk do u gëzohen edhe për shumë ditë. Kallëzimin e Juela Meçanit, mësohet se e ka marrë në dorë vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe të paktën për aq sa e njohin kolegët, ai nuk do lërë gur pa lëvizur deri sa të kapen autorët. Të paktën kështu ka ndodhur me çdo çështje që është marrë drejtpërdrejt drejtori Vocaj.