Statusi i Kosovës mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Kryetarja e Kuvendit mbyll turin e vizitës disa ditore ne vendet arabe
TIRANË- Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme të mbështesin çdo nismë individuale apo kolektive për pavarësinë e Kosovës. Kështu i është deklaruar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli nga Kryetari i parlamentit të Emirateve Arabe, Abdul Aziz Abdullah al Ghurair, gjatë një takimi që dy personalitetet kanë zhvilluar. Çështja e Kosovës është diskutuar gjerësisht në takimin mes dy delegacioneve, ku Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, por edhe në vijim, duke kërkuar mbështetjen e Emirateve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. Pikërisht, në përgjigje të kësaj kërkese, Al Ghurair garantoi kryeparlamentaren Topalli se Emiratet e Bashkuara do të mbështesin çdo nismë individuale e kolektive për pavarësinë e Kosovës, pasi mbështesin paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend të veçantë ka zënë diskutimi për investimet në vendin tonë. Pikërisht, gjatë këtij diskutimi, Topalli dhe Al Ghurair ndanë mendimin se politika dhe politikanët janë ata që duhet të krijojnë klimën e favorshme, bazën ligjore solide në mënyrë që investitorët e dy vendeve të jenë të sigurt në bashkëpunimin e tyre. "Duam të jemi prezent në Shqipëri dhe jemi gati për bashkëpunim,"- tha Al Ghurair, duke shprehur interes për resurset që ofron Shqipëria, mundësitë për investim veçanërisht në energjitikë, infrastrukturë, turizëm e shkëmbime tregtare.Nga ana e saj, Topalli shprehu admirim për ritmin e zhvillimit në këtë shtet me demokraci të re, duke vënë në dukje se disa marrëveshje shumëtë rëndësishme bashkëpunimi ekonomik dy palësh janë në përfundim e pritet tëkrijojnë një bazë të sigurt për bashkëpunimin mes dy vendeve. Kryesimi i delegacionit të parlamentarëve shqiptarë nga zonja Topalli ngjalli interesin e bashkëbiseduesve në të gjithë kryeqytetet e vizituara për rolin e gruas në proceset politike në Shqipëri, si edhe vlerësuan këtë inisiativë të zonjës Topalli për vizitën me ftesë të Kryetarit të parlamentit në Kuvajt, në Katar, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto takime Kryetares së Kuvendit iu garantua mbështetja e plotë dhe e vendosur për njohjen e pavarësisë së Kosovës.