E Diel, 1 Nëntor 2026

Seul, ushtria koreano-jugore gjendje alarmi pas vdekjes së Kim Jong-Il

SEUL- Koreja e Jugut u vendos në gjendje alarmi dhe riforcoi mbikëqyrjen në kufirin me Korenë e Veriut, pas njoftimit për vdekjen e liderit koreano-verior, Kim Jong-Il, bënë të ditur burime zyrtare.
''Seuli i ka kërkuar gjithashtu aleatit të tij amerikan, që posedon 28 500 trupa në Seul, të rrisë mbikëqyrjen me anë të satelitëve dhe avionëve'', theksoi një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë koreano-jugore.
Asnjë aktivitet i pazakontë nuk është vërejtur në orët që kanë ndjekur vdekjen e Kim.
''Presidenti koreano-jugor, Lee Myung-bak anuloi të gjitha takimet dhe thirri një Këshill të Sigurisë Kombëtare në ''Shtëpinë Blu'', emri i rezidencës presidenciale'', theksoi zëdhënësi i tij.
"Monitorimi dhe siguria në zonat kufitare është riforcuar. Ne jemi shumë të kujdesshëm për çdo lëvizje të ushtrisë së Koresë së Veriut'', nënvizoi një zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes.
"Të gjithë komandantët janë në gjendje alarmi dhe Koreja e Jugut dhe SHBA janë përqendruar në ndarjet e tyre të shërbimeve sekrete ushtarake'', shtoi ai.
Dy Koretë mbeten teknikisht në gjendje konflikti që prej armëpushimit të pasigurt të nënshkruar në përfundim të luftës së Koreve (1950-53).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›