Të krishterët në Malajzi nuk heqin dorë nga fjala Allah
Udhëheqësit e komunitetit të krishterë në Malajzi refuzuan sot që t’i japin fund përdorimit të fjalës Allah për Zotin, përkundër sulmeve të ndërmarra kundër kishave, të cilat kanë shtuar brengën për minimin e të drejtave të pakicave ne këtë shtet me popullatë shumicë myslimane.
Daniel Raut, kryesues i kishës evangjelike në Borneo, theksoi se ai nuk do të heq dorë nga përdorimi i fjalës Allah, edhe përkundër faktit se të krishterët po frikësohen për sigurinë e tyre.
“Që nga koha kur paraardhësit tanë u konvertuan në të krishterë, në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar, ne kemi shfrytëzuar fjalën Allah në gjuhën tonë amtare”, tha Raut, i cili vjen nga radhët e fisit Lumbavang, që jeton në shtetin jugor Saravak.
“Ne frikësohemi për sigurinë tonë, por do të lutemi për mbrojtje dhe besojmë se Zoti do të intervenojë në këtë çështje”, theksoi Raut.
Që nga e premtja e kaluar, në Malajzi janë sulmuar nëntë kisha, me sulmuesit që kanë hedhur koktej Molotovi në drejtim të tyre. Këto sulme kanë tendosur marrëdhëniet mes krishterëve dhe malajëve myslimanë, duke zbehur imazhin e Malajzisë si shtet i moderuar mysliman.